Japrakë ose dollma me gjethe rrush

PËRBËRËSIT: 80-90 gjethe rrushi, 1 gotë çaji oriz, 1 tufë pazi, 1 tufë lulëkuqe, 1 tufë lëpjetë, 1 tufë labot, 2 tufa kopër, 2 tufa majdanoz, 1 tufë nenexhik, 4-5 qepë të njoma, 2 hudhra të njoma, vaj ulliri, piper i zi dhe kripë.

PËRGATITJA: Si fillim lajmë mirë të gjitha lakrat e egra, erëzat, qepët dhe hudhrat, i kullojmë dhe më pas i presim imët. Në nje tenxhere shtojmë pak kripë dhe pasi uji ka vluar, vedosim gjethet e rrushit për rreth 2-3 minuta. Kujdes mos i zieni shumë gjethet pasi ju grisen lehtë kur të bëni mbështjelljen. Në një tigan të thellë, shtojmë vaj ulliri dhe skuqim lehtë qëpët e njoma dhe hudhrat. Më pas shtojmë orzin dhe pas tij, lakrat e dhe erëzat, kripën, piperin dhe i kaurdisim lehtë. Gjethet pasi janë zier 3 min i kullojmë dhe i lëmë të ftohen, ndërkohë dhe masa e mbushjes është gati. Kur gjethet të jenë ftohur filloni mbushjen e gjetheve diku gjysëm lugë gjelle, e vendosim në mes të gjethes, përthyejmë anët, pjesën e poshtme dhe më pas i rrotullojmë. Unë përdor teknikën me ndihmën e një qeseje, keni shembuj të palosjes plot në internet.
Në enën ku do zieni japrakët, shtoni pak vaj, vendosni disa gjethe si fillim mos të ngjiten japrakët dhe rëndësini sipër tyre japrakët. Shtoni pak vaj ulliri nga sipër, ujë aq sa kalon nja dy gisht sipër japrakëve. I vendosim sipër një pjatë dhe i lejmë të ziejnë shumë ngadal për 1 orë. Aq sa uji pothuajse është shteruar. Ju bëftë mirë!

Kjo recetë u përgatit nga Maison de goût