Kalin: Nuk do të tolerojmë një tjetër protestë kundër figurës së Erdogan

Turqia paralajmëroi se nuk do të tolerojë një tjetër protestë si ajo që ndodhi së fundmi në Stokholm, në të cilën një imazh i presidentit turk Recep Tajip Erdogan u var pranë bashkisë.

Protesta ka tensionuar lidhjet në një kohë kur Suedia ka nevojë për mbështetjen e Turqisë për t’u bërë anëtare e NATO-s.

Ibrahim Kalin, zëdhënësi i Erdoganit, u tha gazetarëve të shtunën se nëse një incident i tillë do të përsëritej, do të “ngadalësonte” procesin e pranimit të Suedisë në aleancën e mbrojtjes perëndimore.

“Ne besojmë në këtë proces dhe duam të bëjmë progres”, tha Kalin, në lidhje me kërkesën e Suedisë, ndërsa shtoi se imazhi publik i Suedisë ishte dëmtuar.

Qeveria turke ka thirrur ambasadorin suedez pas protestës, për të cilën Turqia fajësoi një grup të lidhur me Partinë e jashtëligjshme të Punëtorëve të Kurdistanit (PKK). Imazhet treguan një kukull të madhe të Erdogan të varur nga këmbët gjatë një proteste.

Kryeministri suedez Ulf Kristersson e dënoi këtë akt.

Turqia ka bllokuar kërkesën e Suedisë dhe Finlandës për t’u bashkuar me NATO-n, duke përmendur mbështetjen e tyre të supozuar për grupet që Ankaraja i etiketon si terroriste, duke përfshirë PKK-në. /atsh