Kampionati Evropian më i pasur në histori

Euro 2020 do të jetë kampionati më i pasur i historisë, pasi kombëtaret pjesëmarrëse do të ndajnë plot 331 milionë euro, 30 milionë më shumë se sa në Euro 2016.

Fillimisht shuma e përcaktuar ishte 371 milionë euro, por më pas pandemia i detyroi organizatorët që të bëjnë disa reduktime duke rishikuar buxhetin.

Duke parë çmimet, fituesi i Euro 2020 do të përfitojë plot 30 milionë euro, ndërkohë që secilës nga 24 skuadrat pjesëmarrëse në fazën finale do t’i garantohen 9.5 milionë euro.

Por nuk mbaron gjithçka këtu, pasi në fazën e grupeve një fitore vlen 1 milion euro, një barazim ndërkohë 500 mijë euro.

Kalimi në 1/8 i garanton çdo skuadre 1.5 milion euro, çerekfinalet vlejnë 2.5 milionë euro, ndërsa skuadra që shkon në gjysmëfinale përfiton 4 milionë euro.

Si përfundim për secilën nga dy finalistet i shkojnë nga 5 milionë euro në konto.

Këto shifra janë të mëdha, por fitimin e madh sërish e merr UEFA.

Në total UEFAdo të arkëtojë nga Euro 2020 afër 2 miliardë eurosh, ku 850 milionë euro do të janë fitim i pastër.