Katari dhe Mbretëria e Bashkuar bëjnë thirrje për “rikthim të menjëhershëm” në armëpushim në Gaza

Katari dhe Mbretëria e Bashkuar kanë bërë një thirrje të përbashkët për një “rikthim të menjëhershëm” në marrëveshjen e armëpushimit në Gaza dhe për krijimin e një kornize të besueshme politike për themelimin e një shteti palestinez.

Gjatë takimit të dytë vjetor të Dialogut Strategjik Katar–Britani në Doha, Sekretari i Jashtëm britanik, David Lammy, shprehu “mirënjohjen e thellë dhe të vazhdueshme të Londrës për përpjekjet e domosdoshme ndërmjetësuese të Katarit” për të arritur armëpushimin dhe lirimin e pengjeve të mbajtura në Gaza, thuhet në një deklaratë të përbashkët të publikuar nga Ministria e Jashtme e Katarit.

“Sekretari i Jashtëm theksoi se Mbretëria e Bashkuar është e tronditur nga humbjet humanitare dhe kërkon me urgjencë rikthimin në armëpushim,” thuhet në deklaratë.

Lammy gjithashtu bëri thirrje që Izraeli të rikthejë aksesin humanitar në Gaza.

Kryeministri dhe ministri i Jashtëm i Katarit, Mohammed bin Abdulrahman bin Jassim Al Thani, gjatë takimit dënoi ashpër rifillimin e luftës nga ana e Izraelit dhe politikat që pengojnë ndihmën jetike në territorin e rrethuar.