Kek me kanellë

Një kombinim i përkryer i kanellës pak djegëse e plot aromë dhe i arrave krokante.

Ky kek klasik kërkon përdorimin e arrave, duke qenë se ky arror është dhe më i përhapuri në Shqipëri. Por mund të përdorni edhe bajame apo lajthi nëse dëshironi.

Mund ta shërbeni edhe për mëngjes pasi shkon shumë mirë me qumështin, kafen apo lëngjet e frutave.

Përbërësit

  • 210 g gjalpë me temperaturë ambienti
  • 280g sheqer
  • 4 vezë
  • 280g miell
  • 1 lugë çaji me fryrës ëmbëlsirash
  • 2 lugë çaji me kanellë
  • 115g arra të shtypura imët
  • 1 lugë gjelle sheqer pluhur për zbukurimin e kekut

Përgatitja

  1. Ngrohni furrën në 180 gradë.
  2. Ndërkohë në një tas të madh përzieni mirë gjalpin dhe sheqerin.
  3. Kini kujdes që kokrrizat e sheqerit të jenë tretur plotësisht, dhe që kremi të jetë kremoz.
  4. Shtoni vezët një e nga një, duke përzierë me telin e kuzhinës derisa masa të jetë e njëtrajtshme.
  5. Lëreni masën të pushojë ndërkohë që përgatisni miellin.
  6. Në një tas tjetër hidhni miellin duke e situr më parë, fryrësin dhe kanellën.
  7. Shtoni përbërësit me një lugë gjelle dhe të përzieni sa ai të tretet.
  8. Vazhdoni këto hapa derisa të mbaroni sasinë e miellit.
  9. Një përzierje e ngadaltë e miellit bënë të mundur që brumi i kekut të ketë sa më shumë ajër dhe të fryhet më mirë.
  10. Kalojeni gjysmën e brumit në një tavë të lyer me gjalpë dhe përhapeni në mënyrë të njëtrajtshme.
  11. Hidhni arrat e shtypura sa më imët dhe më pas pjesën tjetër të mbetur të brumit.
  12. Piqeni për 30-35 minuta ose derisa sipërfaqja e kekut të ketë marrë një ngjyrë të artë.
  13. Për ta provuar nëse brendësia e kekut është pjekur, mjafton ta shponi me një thikë dhe nëse sipërfaqja e saj del e pastër keku është gati.
  14. Hiqni kekun nga furra ta lini të ftohet plotësisht para se ta prisni.
  15. Nëse dëshironi mund ta spërkatni me pak sheqer pluhur.