Kelmendi, “miniera e artë” e Kosovës

Kosova arin e ka patur gjithmonë nën këmbët e saj, në zemrën e këtij vendi, në Trepcë. Trepca megjithatë nuk është e vetmja “minierë” ari e Kosovës, pasi Majlinda Kelmendi, vajza nga Peja, është personi që ka “nxjerrë” më shumë ar për vendin e saj.

Këtë të shtunë, Majlinda vari mbi qafë, një tjetër ar, të 24-trin në karrierë., pasi fitoi për herë të katërt radhazi Grand Prix e Parisin duke mundur në finale një japoneze. Askush më shumë se Kelmendi nuk ka larë me ar Kosovën, dhe në prag të nëntë vjetorit të Pavarësisë kjo ishte dhurata më e bukur për të gjithë bashkëqytetarët e bashkombasit e saj. Kelmendi në karrierën e saj ka treguar se, ashtu si në tunelet e minierës së Trepcës, ari mund të arrihet vetëm duke derdhur djersë, duke mos u dorëzuar, e duke ruajtur përkatësinë tënde, pa u tunduar nga “E mira” e përkohshme. Me sukseset e saj, Kelmendi është shndërruar në “Trepcën” e sportit kosovar, duke qenë jo vetëm miniera e artë e këtij vendi, por dhe zemra e tij sepse dhe Kelmendi ashtu si Trepca, janë ari që s’mund të falet.