Kërkoni të pamundurën nga Allahu..!!

Halid Hasen Llukman

Prej gjërave më të bukura, të shkruara nga thirrësi islam Abdurrahman El-Ashmavi, është edhe shkrimi me titull: “Kërkoni të pamundurën nga Allahu!”
Në atë shkrim thotë: Allahut i vjen ‘turp’ prej robit të Tij, kur ai i shtrin duar drejt Tij me dua, që t’ia kthejë bosh, atëherë pra përse të mos e ngremë tavanin (nivelin) e duasë sonë drejt Tij?
Meditoni tavanin (nivelin) e duave të Pejgamberëve…
I kërkojnë Allahu të Madhëruar të pamundurën… dhe as nuk e kanë problem… përse??
Vetëm e vetëm, sepse ata e dinë kuptimin e emrit “El-Vehab” (Dhuruesi).
Meditoni rreth fjalës së Pejgamberit të Allahut, Sulejmanit (a.s):
“Tha: Zoti im, më fal mua dhe më dhuro sundim, që të mos i takojë askujt tjerë pas meje; me të vërtetë Ti je Dhuruesi (El-Vehab)!” – (Kur’ani, Sad: 35)
Deshi sundim ‘të veçantë’, sundim të mbushur me të pamundura…
Rezultati: Allahu i bashkoi profetësinë, mbretërinë, diturinë dhe urtësinë. I nënshtroi atij erën, xhinët, shpendët, njerëzit, kuajt dhe egërsirat.
Nuk është prej zuhdit (asketizmit) modestia në dua.
Ngrijeni tavanin (nivelin) e duasë suaj në dynja.
Dhe, ngrijeni atë në ahiret dhe kërkoni Firdevsin më të lartë, e mos hezitoni, deri edhe nëse shikoni, se ju nuk e meritoni;
Sepse, ju po kërkoni prej Dhuruesit (El-Vehab).
Ajo (duaja) është ibadet i mrekullueshëm, që e kanë harruar një pjesë e madhe.
Por, Allahu e do, ta adhurojmë përmes saj.
Ajo (duaja) është ibadet i ‘mendimit të mirë për Të!’
Në mes të botës, që e ka mbushur frika dhe shqetësimi (stresi) për të ardhmen, vjen ky ibadet për t’i prekur zemrat e njerëzve…
Ne kemi mësuar të jetojmë me një mendim të mrekullueshëm;
Dhe sipas mendimit tënd për Allahun,
Allahu ta jep të mirën (hajrin) dhe të largon prej teje të keqen (sherrin).
Kijeni mendimin e mirë për Allahun, ju mëshiron dhe ju përgjigjet duasë suaj!”
_______________________
Halid Hasen Llukman

Nga: Lavdrim Hamja