Kësi vere megjithatë mbahet mend

Ka kaluar gati gjysma e verës dhe shumica e ditëve të kësaj stine kanë shkuar nën shoqërinë e pikave të shiut që trokëllinin në dritaret e shtëpive.

Profesori i Meteorologjisë në Universitetin e Prishtinës, Sylë Tahirsylaj, ka thënë se gjendja aktuale sa i përket motit nuk është alarmante, dhe ka numëruar verërat në të cilat kishte pasur një mot të tillë, njofton Klan Kosova.

“Fjala parashikim domethënë përafrim; metodika që aplikohet në meteorologji ka garanci të 100 përqindtë, por pas tri ditësh ndryshojnë kushtet”, ka thënë Tahirsylaj për klankosova.tv, duke thënë se kjo ndodh për arsye se masat ajrore vijnë gradualisht.

“Me parashikime afatgjate, besueshmëria bie shumë për arsye se ndryshojnë kushtet”, ka shtuar ai.

Megjithatë, kjo verë e përcjellë kryesisht me reshje nuk përbën rast unik në Kosovë, për arsye se në këtë vend ka ndodhur edhe më herët të ketë verëra që kanë kaluar pa ose me shumë shi.

Madje në Dragash ka qenë një periudhë kur nuk ka pasur fare të reshura për tre vjet, e më 1908 në Ballan sërish nuk ka pasur reshje.

Ndërsa verëra të ngjashme si kjo e sivjetmja në Kosovë kanë mbretëruar në vitet 1937, 1954 e 1957.

“Në vitin 1917, 1918, 1919, në Dragash nuk ka pasë hiç reshje, por natyra e ka kryer të veten”.

“Në vitin 1937, ka pasur reshje të përafërta me këto të sotmet në Alpet Shqiptare, në Gjeravicë. Më Junik, kanë rënë 2935 litra për metër katror”.

“Më 1954, ka pasur përsëri reshje të intensitetit të përafërt me këto”.

Në verën e vitit 2000 kanë qenë thatësira më të madha, mirëpo 18 vjet më pas, ka një verë me reshje intensive, por që sipas Tahirsylajt nuk përbën gjendje alarmante.

Megjithatë, ai ka thënë se nga moti aktual kanë pësuar disa kultura bujqësore si gurnajat, mjedrat, manaferrat, dhe kopshtaria në përgjithësi.

Historiku është i bazuar në të dhënat e aeroportit të Vjenës dhe të Londrës, nga baza historike e të dhënave hidrometeorologjike të Kosovës që nga viti 1942, si dhe nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës.

Për fund, Tahirsylaj ka thënë se ditën e premte do të ndërpriten reshjet, ndërkaq java që vjen do të jetë me diell, me temperatura minimale deri në 20 gradë celsius, dhe ato maksimale që do të shkojnë deri në 30 gradë celsius. /Klankosova/