Komenti i ajetit: “E megjithatë, ata qenë urdhëruar vetëm që të adhuronin Allahun me përkushtim të sinqertë, duke qenë në fenë e të pastër (të Ibrahimit),si dhe të falnin namazin e të jepnin zekatin. Kjo është feja e drejtë”.

Ky ajet kuranor flet për parimet bazë të fesë së Allahut të Lartësuar. Ato janë: adhurimi vetëm për Allahun e Lartësuar, sinqeriteti në fenë e Tij, braktisja e idhujtarisë dhe pasuesve të tij, falja e namazit dhe dhënia e Zekatit. Kjo është feja e drejtë, pra besim i sinqertë dhe i rrënjosur në ndërgjegje. Ky besim përkthehet në adhurimin e Allahut të Lartësuar dhe besimtari e shpenzon pasurinë e tij në rrugë të Tij. Ai, i cili i përmbush këto parime, e ka përmbushur besimin e tij. Për zbatimin e këtyre parimeve ishin të urdhëruar edhe ithtarët e Librit qysh para Islamit por edhe më pas. Feja e Allahut është një: i njëjti besim, i njëjti mesazh. Kjo është feja, që nuk mbart paqartësi dhe besimi i saj fton në unitet e jo në përçarje.

Në këtë ajet kuranor, Allahu i Lartësuar urdhëron që adhurimi të jetë i sinqertë sepse sinqeriteti është thelbi dhe shpirti i adhurimit. Sinqeriteti në adhurim i ngjan shpirtit në trupin e njeriut. Në mënyrë që punët dhe veprat e njeriut të jenë të pranueshme, ato duhet të shoqërohen me sinqeritet. Sinqeriteti e udhëzon njeriun për në Xhenet, por nëse njeriut i mungon sinqeriteti, atëherë ai shkatërrohet.

Sinqeritet do të thotë, që:

1- Puna duhet të kryhet vetëm për Allahun e Lartësuar dhe për askënd tjetër përveç Tij.

2- Njeriu duhet të synojë vetëm kënaqësinë e Allahut të Lartësuar me adhurimin që bën.

3- Puna duhet të jetë e pastër, larg çdo gjëje që e prish atë.

4- Njeriu nuk duhet te kërkojë që të tërheqë vëmendjen e njerëzve me veprën që kryen.

Allahu i Lartësuar thotë: “Çdo gjë që gjendet në Tokë, Ne e kemi bërë stoli për të, për të provuar se kush prej tyre punon më mirë”[1]. Imam Ibn Kethiri (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Allahu i Lartësuar nuk thotë: “Kush bën më shumë punë”, por thotë:“Kush prej tyre punon më mirë”[2].Kjo do të thotë, se në mënyrë që puna të jetë e mirë, duhet të jetë e sinqertë vetëm për hir të Allahut të Lartësuar dhe të jetë në përputhje me Sheriatin e Profetit Muhamed (a.s) Në momentin që nuk përmbushet një prej këtyre dy kushteve, atëherë puna nuk konsiderohet e mirë, por përkundrazi është e papranueshme.

Sinqeriteti është burimi i riskut dhe shpërblimit të madh. Sinqeriteti e shpëton njeriun nga ndëshkimi i rreptë në Ditën e Gjykimit. Më anë të sinqeritetit, puna e vogël bëhet e madhe sa një mal. Abdullah ibn Mubarek thotë: “Ndoshta një punë e vogël bëhet e madhe nëpërmjet nijetit të pastër. Po ashtu, një punë e madhe mund të bëhet e vogël nga nijeti jo i pastër”. Prandaj besimtari duhet të bëjë shumë kujdes, në mënyrë që puna dhe vepra e tij të shoqërohet me sinqeritet të pastër vetëm për hir të Allahut të Lartësuar.

[1] – Sure Kehf: 7.

[2] -“Tefsiri i Ibn Kethirit”, i Ibn Ketherit, fq: 8/176