Konfiskohen 720 kilogramë mish të skaduar në Prizren

Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka ka bërë të ditur se gjatë aksionit tërë javor të inspektimit të mishit, sot është hasur në mish me afat të skaduar dhe janë konfiskuar 720 kilogramë mish i skaduar, i cili ishte i importuar nga Holanda.

Mishi sipas Haskukës është konfiskuar në njërën nga qendrat më të mëdha tregtare të qytetit.

“Gjatë aksionit tërë javor të inspektimit të mishit në Komunën tonë, sot është hasur në mish me afat të skaduar, në njërën prej qendrave më të mëdha tregtare në qytet. Inspektorët komunalë fillimisht kanë vërejtur se mishi ka pësuar ndryshime organoleptike (ngjyra, shija dhe era e mishit janë tjetërsuar). Pas kontrollit të dokumentacionit është konstatuar se këtij mishi të importuar nga Holanda i kishte kaluar edhe afati”, ka bërë të ditur ai, përmes rrjetit social Facebook.

Ky mish po ashtu edhe është asgjësuar, përderisa Haskuka është zotuar se tolerime nuk do të ketë ndaj asnjë kompanië.

“Mishi në sasi prej 720 kg. është konfiskuar menjëherë, ndërsa me ndihmën e kompanisë rajonale “Ekoregjioni”, gjatë ditës së sotme, është asgjësuar me mjete përkatëse kimike. Shëndeti i qytetarëve është në rend të parë. Nuk do të ketë tolerime ndaj asnjë kompanie që konsumatorëve u shet ushqim të prishur”, përfundoi Haskuka.

Ky rast është përcjell për në Prokurori.