Kosova dhe Turqia thellojnë bashkëpunimin në sektorin bankar

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti dhe homologu i tij turk, Murat Çetinkaya, gjatë takimeve vjetore të FMN-së dhe BB-së në Bali të Indonezisë, nënshkruan memorandum mirëkuptimi me qëllim të thellimit të bashkëpunimit në fushën e biznesit bankar qendror, përmes shkëmbimit të njohurive dhe ekspertizës.

Guvernatori Mehmeti ka shprehur kënaqësinë për rritjen e bashkëpunimit me Bankën Qendrore të Turqisë me anë të këtij memorandumi, që gjithashtu do të mundësonte shkëmbimin e informacioneve dhe pikëpamjeve mbi zhvillimet ekonomike dhe financiare në ekonomitë e të dyja vendeve, si dhe çështje të bankingut qendror.

Me nënshkrimin e këtij memorandum mirëkuptimi, palët bien dakord për të forcuar shkëmbimin e njohurive dhe ekspertizës përmes vizitave nga zyrtarët në nivel pune.

Shkëmbimet mund të bëhen në formën e këshillave teknike, lëvizjeve të përkohshme të punonjësve, trajnimeve, seminareve, punëtorive, vizitave të ekspertëve, vizitave kërkimore ose aktiviteteve kërkimore në fusha të rëna dakord reciprokisht.