Kosova në terr

Qytetarët në Kosovë, nga e mërkura e 22 dhjetorit, përballen me reduktime të energjisë elektrike.

Kompania Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS) njoftoi se reduktimet pritet të zgjasin rreth dy orë në ditë, në kohë të ndryshme, dhe se do t’i prekin të gjithë konsumatorët, përveç atyre emergjentë.

Reduktimet u udhëzuan nga Operatori i Sistemit dhe Tregut – KOSTT, për shkak të mbingarkesës në sistemin elektro-energjetik.

KEDS tha se është në pritje të instruksioneve nga KOSTT-i për kohëzgjatjen e reduktimeve.

“[Në mënyrë] që kriza të ketë ndikim sa më të vogël, KEDS apelon për kursim maksimal të energjisë elektrike dhe përdorim të formave alternative të ngrohjes, aty ku ka mundësi”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga KEDS.

Për situatën e krijuar, disa fajësojnë politikën e mbi 20 vjetëve të fundit – kohë prejse Kosova ka dalë nga lufta. Të tjerë thonë se ka pasur mungesë strategjish dhe projektesh.

Termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B” në Obiliq aktualisht prodhojnë rreth 500 megavat energji elektrike në orë, ndërsa kërkesat janë për mbi 1,100 megavat në orë.

Një nga arsyet për nënprodhim është vjetërsia me dekada e termocentraleve.

Korporata Energjetike e Kosovës njofton herë pas here për rënien e blloqeve nga sistemi.

Më 15 dhjetor, një rrjedhje në kaldajën e njësisë B1 të termocentralit “Kosova B” pamundësoi furnizimin me avull të ngrohtores “Termokos”. Kjo bëri që ngrohja për mbi 15 mijë konsumatorë në Prishtinë të ndërpritet për më gjatë se një ditë.

Për t’i plotësuar nevojat, Kosova është duke importuar rrymë, por me çmime më të larta, për shkak të krizës energjetike në botë.

Autoritetet paralajmërojnë se faturat e energjisë elektrike mund të shtrenjtohen për 7 për qind në muajt e ardhshëm.