Kosova sot nënshkruan marrëveshje në Serbi për roamingun

Në Serbi sot do të firmoset një marrëveshje rajonale mbi uljen e çmimeve të roamingut për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ujdia do të nënshkruhet në ditën e parë të Samitit Dixhital të Ballkanit Perëndimor në Beograd, pjesë e së cilës do të jenë: Kosova, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Bosnjë e Hercegovina dhe Shqipëria.

Në samit po merr pjesë edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka i cili ka njoftuar mbrëmë përmes Facebookut se ka arritur në kryeqytetin serb.

Postimi i plotë:

Sapo kemi arritur në Beograd për të marrë pjesë në Samitin Dixhital ku pritet të nënshkruhet marrëveshja për roaming në mes të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Delegacioni Kosovar është i përfaqësuar nga institucione të ndryshme shtetërore, organizata joqeveritare dhe kompani vendore në fushën e teknologjisë informative.

Përveç pjesëmarrjes në panele të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe ARKEP – Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, do të ketë prezantime nga Mergim Cahani, Gjirafa.com, Shpend Lila, Innovation Center Kosovo dhe të tjerë.