Kriza në Armeni, protestuesit paralizojnë vendin

Me dhjetëra mijëra mbështetës të udhëheqësit të opozitës armene, Nikol Pashinyan, dëgjuan thirrjen e tij për mosbindje civile, duke bllokuar rrugët kryesore në vend dhe ndërtesat qeveritare.

Pashinyan ka udhëhequr për javë të tëra protestat antiqeveritare, që sollën dorëheqjen e kryeministrit Serzh Sargsyan, pas 10 vitesh në pushtet.

Udhëheqësi i protestave Pashinyan bëri thirrje për grevë të përgjithshme, pasi deputetët e partisë qeverisëse refuzuan që ta votonin si kryeministër të përkohshëm.

Mbështetësit e opozitës iu përgjigjën thirrjes së Pashinyanit dhe protesta masive shpërthyen në kryeqytetin Jerevan, por edhe në qytete të tjera. Rrugët kryesore të kryeqytetit, stacionet e metrosë, madje edhe rruga që të çon në aeroport u bllokuan, duke detyruar turistët që të ecnin në këmbë dhe t’i mbanin vet valixhet.

Pjesë e protestës ishin mësuesit, nxënësit e shkollave dhe studentët, që iu bashkuan opozitës në vendin me 2.9 milionë banorë. Protestat nisën pasi ish-kryeministri Sargsyan, përmes një referendumi plot parregullsi kaloi fuqitë e presidentit te kryeministri, e më pas la presidencën për t’u bërë kryeministër.

Lëvizje e qartë për të mos iu ndarë pushtetit, diçka që nuk u pranua nga armenët, të cilët u hodhën në protesta dhe kanë paralizuar vendin. Analistët thonë se, pavarësisht se kush do të jetë kryeministër i përkoshëm, vendi pritet të shkojnë shpejt drejt zgjedhjeve të parakohshme, që do të vendosin edhe për të ardhmen e tij.