Kryebashkiaku i Berlinit nën kiritika të ashpra pasi luajti tenis gjatë krizës me energjinë elektrike

Kryebashkiaku i Berlinit, Kai Wegner po përballet me kritika në rritje pasi u zbulua se ka luajtur tenis gjatë ndërprerjes masive të energjisë elektrike në qytet, raportuan mediat, transmeton Anadolu.

“Kryebashkiaku po luante tenis edhe pse e dinte tashmë se 45 mijë familje në Berlin ndodheshin në një situatë emergjente pa ngrohje dhe energji elektrike dhe se njerëzit ishin në rrezik”, tha kreu i grupit parlamentar të Partisë së Gjelbër në parlamentin e rajonit federativ të Berlinit, Werner Graf, në platformën amerikane X.

Edhe partneri i koalicionit të Wegnerit, Partia Socialdemokrate (SPD), e kritikoi ashpër sjelljen e kryebashkiakut gjatë krizës.

“Kai Wegner me siguri nuk ka luajtur tenis në shtëpi, i mbyllur në zyrën e tij. Nuk e di çfarë është më e keqe: fakti që ai i gënjeu qytetarët e Berlinit apo që një ndeshje tenisi ishte më e rëndësishme për të sesa të ishte pranë njerëzve të prekur pas një sulmi terrorist gjatë krizës më të rëndë të energjisë në dekada. Të dyja janë të papranueshme dhe të padenja për një kryebashkiak qeverisës”, tha Steffen Krach, kryetar i emëruar i SPD-së për Berlinin.

Grupi parlamentar i Unionit Kristian Demokrat (CDU) të Wegnerit ishte planifikuar të diskutonte ndërprerjen pesëditore të energjisë në një konferencë onlajn sot në mëngjes. Sipas raportimeve, kryebashkiaku i Berlinit ishte planifikuar të merrte pjesë në këtë takim për të diskutuar ndeshjen e tij të diskutueshme të tenisit, vetëm disa orë pas fillimit të ndërprerjes së energjisë.

Wegner raportohet se ka luajtur tenis ndërsa mijëra qytetarë mbetën pa energji elektrike pas një sulmi me zjarrvënie më 3 janar, njoftoi të mërkurën transmetuesi publik gjerman RBB. Sipas lajmit, Wegner ka luajtur tenis nga ora 13:00 deri në 14:00 në ditën e parë të ndërprerjes së energjisë.

Wegner e konfirmoi lajmin për Welt TV, duke thënë se luajti tenis për të qetësuar mendjen, mbajti telefonin celular të ndezur dhe u rikthye menjëherë në punë pas kësaj.

Ndërkohë, në një konferencë për media më 4 janar, Wegner kishte deklaruar se në ditën e parë të ndërprerjes kishte qëndruar në shtëpi dhe në zyrën e tij me dyert e mbyllura, duke kaluar gjithë ditën në telefon duke koordinuar menaxhimin e krizës.

Zbulimi se Wegner ka luajtur tenis, në kundërshtim me deklaratat e tij të mëparshme, e shtoi edhe më tej zemërimin e publikut. Partitë opozitare e akuzuan Wegnerin për keqinformim të publikut dhe mungesë lidershipi gjatë krizës ndërsa shpjegimet nga qeveria e rajonit të Berlinit nuk arritën të qetësonin kritikat.