Kur do të vendosni të bëheni muslimanë të vërtetë?

Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi (r.a)

Imam Jahja Dejvis u vesh si i varfër dhe shkoi në xhami me 10.000 xhematlinjë në të cilën atë mëngjes do t’u prezantohej si imam i ri.

Gati gjysëm ore eci rreth xhamisë së tij të ardhshme e cila ngadalë po mbushej për faljen e namazit të xhumasë, por vetëm tre persona nga 10.000 ia morën selamin. Më pas pyeti njerëzit që t’i japin pak të holla për të blerë ushqim . . . por askush nuk i dha asnjë cent.

Deshi të ulej në mesin e xhamisë, por i thanë të ulej në fund.

U jepte selam, por mezi ia kthenin të zemëruar duke e matur dhe gjykuar. Derisa ishte ulur në një kënd të xhamisë, këshilli i xhamisë e lajmëroi ardhjen e imamit të ri: “Dëshirojmë t’ua paraqesim juve imamin e ri, Jahja Dejvis.”

Xhemati me entuziazëm pritën për ta parë imamin e shumëpritur. Njeriu i varfër i cili ishte ulur në safat e fundit të xhamisë, u ngrit nga vendi për të shkuar kah mihrabi. Kur e panë xhemati, u shtang, ngazëllimi u shua.

Imami e mori mikrofonin në dorë dhe filloi: “Në ditën e Gjykimit, Allahu xh.sh. do të thotë: – O biri i Ademit, isha i uritur e ti nuk më ushqeve.

– Si kam mundur të ushqej kur Ti je Zot i botëve?

– A e ke ditur që një prej robërve të Mi ka qenë i uritur e ti nuk e ke ushqyer? Sikur ta bëje këtë, do të arrije shpërblim te Unë.

– O biri i Ademit, isha i etur, e ti nuk më dhe për të pirë.

– O Zot, si kam mundur të jap për të pirë Ty, kur Ti je Zot i botëve?

– A ke ditur ndonjë prej robërve të Mi të etur? Sikur t’i jepje për të pirë, do ta gjeje shpërblimin tek Unë.

– O biri i Ademit, isha i sëmurë e ti nuk më vizitove.

– O Zot, si kam mundur të vizitoj Ty, kur Ti je Zot i botëve?

– A e ke ditur që një rob i Imi ishte i sëmurë e ti nuk e vizitove? Sikur ta vizitoje, do ta gjeje shpërblimin tek Unë.”

Pasi i përmendi këto, shikoi kah xhemati dhe u rrëfeu për të gjitha që kishin ndodhur atë ditë. Shumica e tyre filluan të qajnë. Pastaj tha: “Sot po shoh grumbull njerëzish, por jo xhemat për hir të Allahut. Kjo botë ka mjaft njerëz, por jo muslimanë të vërtetë. Kur do të vendosni që të bëheni muslimanë të vërtetë?”

Pastaj e luti muezinin të bëjë ikamet për namaz.

Përktheu dhe përshati:

Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi (r.a)