Kurti: Neni 7 nuk është territorial, s’flet për vetëqeverisje e autonomi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se është e rëndësishme që shprehja fqinjësi e mirë përdoret për herë të parë, sepse sipas tij, i bie secili në shtëpi të vetë dhe se nuk ka fqinjësi pa dy shtëpi.

Ai ka thënë se me konceptin e fqinjësisë së mirë e formojnë njohjen defacto.

“Nuk besoj që mund të gjeni një jurist të mirë që nuk e konfirmon këtë gjë. Çka kam thënë për Asociacionin e ato 6 kushtet gjithçka vlen. Po e ritheksoj se nuk kam ndryshuar as në koncept as në qëllim. Ajo që kam bërë është që strategjikisht të bëj maksimumin për ndryshimin e saj. Pranim minimal i realitetit për ndryshim maksimal të tij. Unë besoj që ndërmjetësit kur e kanë shkruar draftin kanë bërë mirë që janë thirrur në rëndësinë e paqes meqë e dini që fqinji ynë ka bërë shumë veprime agresive vitin që shkoi. Unë nuk iu përkas atyre që thonë le të bëjë çka të dojë Serbia me statusin e saj”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se i intereson që Serbia ta heqë Kosovën nga preambula dhe jo vetëm kaq, por edhe ta pushojë destruktivitetin e saj.

“Unë ju lus për kujdes për nenin 7. Derisa isha unë këtu ulur në karrige dhe fliste deputeti Arben Gashi, ma solli mua këtë kartë. Karta evropiane e autonomisë vendore. Është gabim kjo. Në nenin 7 se keni fjalën autonomi ju lutem nuk mund të ma sillni atë. Te neni 7, fjala lokal nuk ekziston fjala vetëqeverisje nuk ekziston fjala vetadministrim, nuk ekziston fjala autonomi. Pse me sjell këtë pa nevojë. Nuk është territorial neni 7. Po të ishin fjalët vetëqeverisje, vetadministrim do të ishte ndryshe. Ekziston shprehja vetëmenaxhim dhe komuniteti serb të cilat i kemi në Kushtetutë dhe me referencë te Këshilli i Evropës. Fjala pakicat kombëtare është shprehja e parë në tekst në fjalimin e tretë të premabulës, duhet t’i mbahemi kësaj”, ka thënë ai.