Kurti uron Kurban Bajramin: Me sakrificat tona të përbashkëta, do ta bëjmë Kosovën shtet më të fortë

Urimi i kryeministrit Kurti për Kurban Bajram:

Të dashur besimtarë myslimanë, ju uroj lumturi e gëzim në festën e sakrificës, Kurban Bajramin.

Sakrificën që bëhet për qëllim të mirë, e don Zoti, e don edhe shoqëria. Sakrifica e bërë për qëllim të mirë na i gëzon zemrat. Ne humbasim diçka, por fitojmë shumë. Ky është mesazhi i kësaj feste, që ka edhe më shumë domethënie për popujt siç jemi ne, pra jo të mëdhenj e jo të pasur. Me sakrificat tona të përbashkëta, me angazhim e shpresë, me solidaritet e dashamirësi, ne do ta bëjmë Kosovën shtet më të fortë dhe shoqëri më të begatë.

Të dashur myslimanë që sot po festoni.

Është viti i dytë që këtë festë e kalojmë në kushtet e një rreziku global prej pandemisë, gjë që ka pamundësuar edhe pelegrinazhin e haxhit, për shkak të masave shëndetësore të marra nga Arabia Saudite. Në Kosovë sivjet jemi më të qetë se në vitin e kaluar dhe masat i kemi relaksuar, falë punës së institucioneve të shëndetësisë që kanë siguruar vaksinimin masiv të popullsisë, proces që është në zbatim e sipër. Kështu që, Kurban Bajramin mund ta festojmë ashtu siç është tradita, familjarisht e me miq, por megjithatë, të ruajmë higjienën e distancën sociale, sepse ka vende të botës ku pandemia po rikthehet.

Edhe një herë ju uroj, juve e familjeve tuaja,

Për hajr Bajramin!