Kush është Larne FC, kundërshtari i sotëm i Ballkanit në Ligën e Konferencës

Ballkani do të zhvillojë sot (e martë) ndeshjen e parë me Larnen nga ora 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri” në kuadër të Ligës së Konferencës.

Kampioni i Kosovës ra në garën e tretë më të rëndësishme në Evropë, pasi u eliminua nga Ludogoretsi në rrethin e parë kualifikues për në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve.

Në anën tjetër, skuadra nga Irlanda e Veriut ishte eliminuar prej Helsinki me rezultat të përgjithshmë 3-2 dhe atë pas kohës shtesë.

Larne luajti për herë të parë në histori të tyre në Ligën e Kampionëve, pasi sezonin e kaluar ata fituan titullin, po ashtu për herë të parë në histori, duke mundur Crusaders në prill 2023 me rezultat 2-0.

Humbja nga gjigantët finlandez të HJK Helsinki i dërgoi ata në Ligën e Konferencës, ku do të përballen me Ballkanin.

Vlera e tyre si skuadër është 2.83 milionë euro, përgjysmë më e vogël se sa e Ballkanit që është 5.54 milionë euro.

Pothuajse të gjithë lojtarët janë irlandezo-veritor, por ka edhe skocezë, uellsian e australianë.

Përkundër ankesave që kishte trajneri i Larne, Tiernan Lynch për fushën dhe temperaturat që mbretërojnë në Kosovë, ai ka thënë për Ballkanin se është një ekip që dëshiron të luajë futboll të bukur.

Ai vazhdoi tutje, duke bërë me dije se ata do të synojnë të fitojnë këtë takim të vështirë, pasi e përshkroi skuadrën kosovare si një kundërshtar jo i lehtë, derisa kishte shikuar dy takimet që kishte klubi nga Suhareka ndaj Ludogoretsit në Ligën e Kampionëve.

Nga kjo ndeshje Ballkani do të kërkojë të vazhdojë tutje, sikurse që bëri para një viti kur siguroi grupet e Ligës së Konferencës.