Të nderuar vëllezër, siç e dini, jemi në prag të Ramazanit, muajit më të mirë dhe më të veçantë tek Allahu i Madhëruar, për çka e lusim Allahun xh.sh. që të na bëjë prej atyre që e trajtojnë këtë muaj në mënyrë të veçantë, ashtu siç është vetë i tillë ky muaj.Siç e dimë, ky muaj ka shumë vlera dhe veçohet me disa karakteristika. Po i rikujtojmë sot vetëm disa prej tyre:
Ramazani është muaji në të cilin ka zbritur Kurani, libri më i mirë që ka parë historia, libri i Allahut të Gjithëdijshëm. Allahu i Madhëruar thotë: “Muaji i Ramazanit në të cilin zbriti Kurani, i cili është udhërrëfyes për njerëzit, sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues i saj nga rruga e shtrembër. Prandaj, cilido që e arrin këtë muaj, le ta agjërojë atë.” (El-Bekare: 185)
Në muajin e Ramazanit hapet Xheneti, mbyllet Xhehenemi dhe prangosen shejtanët. Thotë Muhamedi a.s.: “Kur të vijë Ramazani, hapen portat e Xhenetit, mbyllen portat e Xhehenemit dhe prangosen shejtanët.” (Muslimi)
Në këtë muaj është nata e Kadrit, e cila është më e vlefshme se një mijë muaj. “Nata e Kadrit është më e rëndësishme se një mijë muaj! …” (El-Kadr:3)
Agjërimi i Ramazanit bëhet shkak për faljen e gjynaheve të kaluara.
Muhamedi a.s. ka thënë: “Kush e agjëron Ramazanin me besim dhe duke shpresuar shpërblimin, do t’i falen mëkatet që ka bërë më herët.” (Buhariu dhe Muslimi)
“Allahu i Madhëruar për çdo natë liron njerëz nga zjarri.” (Tirmidhiu, sahih)
Është muaji që vjen për të na shtuar durimin, sakrificën, vetëkontrollin, humanizmin, me një fjalë, devotshmërinë, si na tregon Allahu xh.sh.: يَٰٓأَيُّهَا ٱلَّذِينَ ءَامَنُواْ كُتِبَ عَلَيۡكُمُ ٱلصِّيَامُ كَمَا كُتِبَ عَلَى ٱلَّذِينَ مِن قَبۡلِكُمۡ لَعَلَّكُمۡ تَتَّقُونَ “O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm.” (El-Bekare: 183)
Duke i pasur parasysh këto dhe të tjera, mund të themi se Ramazani është rasti më i mirë vjetor
për ne që të përfitojmë shumë të mira dhe që ta përmirësojmë dhe avancojmë veten në raport me Krijuesin tonë dhe krijesat e Tij. Prandaj edhe Muhamedi a.s. na tregon se kur të hyjë Ramazani: “Një thirrës (melaqe) thërret: O kërkues i së mirës, përkushtohu! O kërkues i së keqes, freno!” (Tirmidhiu, sahih)
Andaj për ta shfrytëzuar sa më mirë dhe për t’u përmirësuar sa më shumë, ka disa gjëra që duhet pasur parasysh. Për të mos e zgjatur, ne po ndalemi vetëm në dy prej tyre.
E para: Kujtoje se sa i volitshëm është ky rast dhe nuk vjen shpesh, siç nxit populli për t’i shfrytëzuar rastet e mira kur thotë: “një herë vjen vera kah dera”, edhe Ramazani, (kjo verë e shpirtrave tanë) me mirësitë e tij të shumta, na vjen vetëm një herë në vit.
E dyta: Kujtoje se Ramazani vjen edhe në vitet e tjera, por unë mund të mos jem gjallë atëherë. Prej këshillave të Pejgamberit a.s. është edhe kjo: “Kur të ngrihesh ta falësh namazin, fale namazin lamtumirës (sikur të jetë i fundit)…” (Ibni Maxheh, hasen). Pra, kur fal një namaz, fale sa ma mirë dhe llogarite se mund të mos jesh gjallë për namazin tjetër. Nëse kështu na mëson ta llogarisim prej namazit në namaz e që është vetëm pas disa orësh, po për një vit siç është Ramazani, a nuk është edhe më domosdoshme për ta pasur në konsideratë këtë gjë?!
Këtë po na e vërteton edhe realiteti vazhdimisht. Të gjithë njohim dikënd që Ramazanin e kaluar ishte në mesin tonë, ndërsa sot i këndojmë rahmet. Pra, ta konsiderojmë këtë Ramazan sikur të jetë i fundit në jetën tonë. Me këtë nuk është për qëllim të nxisim pesimizëm, përkundrazi, është për të nxitur përmirësimin sa më shumë. Kujtimi i drejtë i vdekjes nuk na ftoh nga jeta, por nga ftoh nga fjalët dhe veprat e këqija dhe na nxit për fjalë dhe vepra të mira.
Nëse arrijmë që ta agjërojmë sikur të jetë Ramazani i fundit, do ta shohim se si do të përmirësohet cilësia e agjërimit tonë (se vetëm edhe këtë vit, e shkova), se si dhe sa do të falemi e dalim në xhami (sepse ndoshta është udhëtimi i fundit), se si do të kemi kujdes në fjalët që flasim (sepse ndoshta janë fjalët e fundit), se shumë do t’i kërkojmë Allahut falje (sepse ndoshta është pendimi i fundit), se si do të sillemi mirë më familjen dhe të tjerët (sepse mund të jetë takimi i fundit), se si do t’i këshillojmë fëmijët tanë (sepse ndoshta mbetet këshilla e fundit), se si do t’i respektojmë prindërit tanë (sepse mund të jetë shërbimi i fundit), se si nuk do t’u hyjmë në hak të tjerëve dhe do t’i kthejmë haket e tyre dhe borxhet (sepse mund të jetë kontakti i
fundit me të tjerët), se si do ta ndihmojmë ndonjë nevojtar ose jetim (sepse mund të jetë ndihma e fundit), se sa do të lexojmë Kuran (sepse mund të jetë leximi i fundit, e që mos ta takoj Zotin pa e lexuar së paku një herë librin e Tij) e shumë e shumë të tjera.
A do të kemi ymer për Ramazana të tjerë, kjo nuk është në dorën tonë dhe nuk kemi përgjegjësi para Zotit për të, por për Ramazanat që i arrijmë, kemi përgjegjësi se si po i shfrytëzojmë.
Natyrshëm i dëshirojmë mundësitë e shumta, por edhe më e rëndësishme se kjo, është vetë qasja jonë ndaj tyre, shfrytëzimi i tyre.
Një prej lutjeve të Pejgamberit a.s. para gjumit ishte edhe kjo: “Me emrin Tënd, o Zoti im, bie në gjumë dhe me emrin tënd ngrihem. Nëse ma merr shpirtin më mëshiro, e nëse e dërgon (në trupin tim), më mbro sikurse i mbron robërit e Tu të mirë.” (Buhariu dhe Muslimi)
Pra, çdo natë para se të flinte e kishte në konsideratë se mund të mos ngrihej më, prandaj lutej që në rast të vdekjes, ta mëshironte, po edhe në rast të jetës, që ta ruante. Andaj edhe ne po e përmbyllim duke e lutur të Madhin Allah, që nëse na merr tek Ai, të na mëshirojë, ndërsa nëse na jep jetë këtë Ramazan edhe shumë Ramazana të tjerë, që të na bëjë prej atyre që i shfrytëzojnë sa më mirë këto raste e të na ruajë ashtu siç i ruan robërit e Tij të mire!
Agjërim të lehtë, të begatshëm e të pranuar!
Këshilli i Bashkësisë Islame, Vushtrri








