LETËR E HAPUR Jusuf Buxhovit, shkrimtar

Prof. Adnan Simnica

Identiteti kombëtar nuk rrezikohet asnjëherë nga Islami, sepse identiteti islam që mbi 6 shekuj është i mishëruar me atë kombëtar dhe anasjelltas. Të kuptuarit dhe zbatuarit e mirëfilltë e Islamit, veçse forcon qenësinë kombëtare dhe frymëzon atë në vazhdimësi. Mohimi i identitetit islam është mohim i identitetit kombëtar, pra, edhe i vetvetes.
Mbi 800 xhamitë e Kosovës gjithnjë i shërbejnë identitetit fetaro-kombëtar të këtij populli dhe, luftojnë në vazhdimësi tjetërsimin kombëtar. Ti, në vend se të merresh me kishat serbo-sllave dhe rolin kriminal, luftënxitës e anti-shqiptar të tyre, të cilat janë bërë “shtet brenda shtetit”, merresh me xhamitë, të cilat gjithmonë luajtën rol vendimtar në ruajtjen dhe kultivimin e vlerave familjare, fetare dhe kombëtare tek ne.
Kjo nënkupton siç thotë populli “Kur nuk mundesh m’i mëshu gomarit, i mëshon samarit”, prandaj ju ftojmë t’i thërrasësh veç pak arsyes, nëse do të gjykosh arsyeshëm, përndryshe po gabon rëndë.
Ezani nuk ulërin o Jusuf Buxhovi, por thërret për adhurim të Zotit, për paqe e shpëtim. Ai thërret në gjuhën e Kuranit dhe është formulë universale e botërore e mbarë myslimanëve. Shqipja jonë është e bukur dhe ne me kënaqësi lutemi shqip, meqë krenohemi më të, sepse Zoti i Madhëruar na krijoi në këtë Vatan, të cilit me krenari i shërbejmë, por namazi e ezani kanë universalitet unifikues global, prandaj janë në gjuhën e Kuranit, meqë ai është Shpallje globale për gjithë njerëzimin.
Kosova nuk është Kazakistan, as Arabi e as Amerikë, por është Kosovë, i vetmi popull autokton shqiptar me shumicë myslimane në Europë, që funksionon edhe me respekt e tolerancë të plotë me bashkëkombasit tanë të besimeve të tjera, kishat e të cilëve nuk na pengojnë, madje as këmbanat e tyre.
Thirrja e Ezanit tashmë e jo ulërima e tij, ka perfshirë gjithë Europën, e ta diskutosh këtë për tek shqiptarët duket absurditet e injorancë.
Këto ju i dini, por ju ka verbuar kryeneçësia e fanatizmi, të cilat ju bëjmë thirrje t’i largoni, prandaj thirrini pak arsyes.
Zoti i Madhëruar dëshmoi:
“Ne e kemi shpallur Kuranin me të vërtetën, meqë ka zbritur me të vërtetën”
(Kuran, El Isra: 105)

Nga: Prof. Adnan Simnica