Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Loja me karriget bosh e Ramës: një butafori cinike mbi hematomat e...

Loja me karriget bosh e Ramës: një butafori cinike mbi hematomat e studentëve!

Kryeministri shpërndan ftesa si dasmor për t’u ulur në dialog me të rinjtë që ende u djegin plagët e policisë

Kryeministri Edi Rama performoi sot një tjetër nga gjestet e tij karakteristike teatrale, duke nxjerrë disa karrige në sheshin përpara Kryeministrisë dhe duke ftuar vetë, në mënyrë demonstrative, studentët që të ulen e të dialogojnë me të.

Ky aksion i befasueshëm publik prezantohet nga kreu i qeverisë si një shtrirje dore për zgjidhjen e krizës, por vjen menjëherë pas përshkallëzimit të tensioneve dhe përplasjeve fizike mes protestuesve dhe forcave të rendit.

Që prej dy ditësh, Rama ka nisur atë që ngjan me një revansh të hapur dhe agresiv. Pasi kërcënoi me të gjitha mënyrat e formave protestuesit, studentët dhe prindërit e tyre – duke përdorur një gjuhë intimiduese dhe trysni publike – kryeministri u kujdes të forconte me shpejtësi aparatin e tij të sigurisë.

Me shpërblime bujare e bonuse financiare për Policinë e Shtetit për të garantuar lojalitetin e tyre, ai ngriti një rreth mbrojtës rreth vetes, për t’u shfaqur më pas, vetëm pak orë më vonë, si “paqebërës”.

Në këtë kuadër, ftesa e tij e sotme – duke dalë vetë në shesh e duke shpërndarë ftesa si të ishte ndonjë dasmor që fton mysafirët – nuk është gjë tjetër veçse një butafori qesharake.

Në 28 vitet e karrierës së tij politike, Rama është shquar gjithmonë për gjestet e tij teatrale. Madje, duhet pranuar se mbështetja e madhe që gëzonte dikur, edhe përtej gardhit të Partisë Socialiste, buronte veç të tjerash prá nga ato sjellje eksentrike dhe atipike për një personazh publik.

Në fillesat e tij, spektakli e bënte të dukej ndryshe, modern dhe i guximshëm. Por sot, kur pushteti ka degraduar në arrogancë, teatri nuk funksionon më si art politik, por si fyerje ndaj inteligjencës publike.

Të nxjerrësh karriget para Kryeministrisë sot – një gjest që mungoi me kryeneçësi gjatë 4 muajve të protestës paqësore – dhe të kërkosh tani të ulen në to studentët me trupin gjithë hematoma nga dhuna e policisë, është një akt i papranueshëm dhe tejet cinik.

Si mund t’u kërkosh të ulen në “karriget e dialogut” të rinjve që ende u djegin plagët e shkopinjve të gomës dhe gazit lotsjellës?

Si mund të pretendosh se je një shtetar, kur me njërin krah firmos shpërblimet për policët që ushtruan forcë suproporcione, e me krahun tjetër rregullon karriget plastike në bulevard për spektaklin e radhës në kamerat e tua?

Kjo sjellje i shkon plotësisht profilit personal të Edi Ramës – një politikan që jeton për imazhin dhe kontrollin e narrativës – por nuk i shkon aspak një shtetari serioz, të përgjegjshëm dhe normal.

Shqipëria nuk ka nevojë për regjisurë rruge apo për karrige të nxjerra si dekor skene. Vendi ka nevojë akute për llogaridhënie, respekt ndaj të drejtave të qytetarëve dhe ndalimin e menjëhershëm të dhunës shtetërore. /tesheshi.com/