Mallorca e Muriqit lë dy pikë ndaj Bilbaos

Atheltic Bilbao i hoqi dy pikë “in extremis” Malloracas në sfidën me tyre në kuadër të javës së 32-të të La Ligas.

Skuadra ishullore mori vetëm një pikë në shtëpi ndaj baskëve, të cilët e barazuan rezultatin në limitet e shtesës me penallti.

Mallorca kaloi në epërsi në minutën e 58-të falë golit të shënuar nga koreano-jugori Lee Kang-In, i shërbyer nga sulmuesi dardan, Vedat Muriqi, që edhe pse nuk e gjeti vetë rrjetën, ishte pikë referimi në majën e sulmit të Mallorcas.

Shtatlarti i lindur në Prizren ia la vendin e tij në minutën e 85-të sulmuesit Kadewere.

Kur po luheshin minutat shtesë të ndeshjes, ekipi bask fitoi një 11-metërsh, që e shndërroi në gol Inaki Williams.

Me 41 pikë në klasifikim, kur kanë mbetur edhe tetë ndeshje për t’u luajtur, Mallorca praktikisht e ka arritur objektivin parësor: mbijetesën.