Kryetari i qytetit të Nju Jorkut, Zohran Mamdani, ka deklaruar se po konsultohet me këshilltarët ligjorë të qytetit për mundësinë e arrestimit të kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, nëse ai viziton qytetin gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (UNGA) në shtator.
Në një intervistë për The New York Times, Mamdani përsëriti qëndrimin e tij se Netanyahu duhet të përballet me drejtësinë, duke theksuar se ndaj tij ekziston një urdhër-arrest i lëshuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare (ICC) për akuza të mundshme për krime kundër njerëzimit në Gaza.
“Besoj se kryeministri Netanyahu e ka vendin në Hagë. Ai është një kriminel lufte ndaj të cilit Gjykata Penale Ndërkombëtare ka ngritur akuza,” tha Mamdani.
Gjatë fushatës së tij për kryetar të Nju Jorkut, Mamdani kishte premtuar se do të kërkonte arrestimin e Netanyahut nëse ai do të vizitonte qytetin, një premtim që kishte ngjallur debat mbi bazën ligjore të zbatimit të tij.
Ai tha se aktualisht është në bisedime me Departamentin Ligjor të qytetit për të përcaktuar nëse autoritetet lokale kanë kompetencë për të ndërmarrë një veprim të tillë.
“Do të bëjmë gjithçka që na lejon ligji në qytetin e Nju Jorkut, por nuk do të krijojmë ligje të reja për këtë qëllim,” u shpreh Mamdani. /mesazhi







