Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se sot është nënshkruar marrëveshja për përjashtimin e ndërsjellë të kërkesave për vizë hyrjeje ndërmjet Kosovës dhe Bahamas.
Marrëveshja është nënshkruar në Uashington D.C. nga ambasadorët përkatës të dy vendeve, duke u mundësuar qytetarëve të Kosovës dhe Bahamas të udhëtojnë pa viza hyrëse.
Sipas presidentes Osmani, ky hap vjen si rezultat i takimit dhe marrëveshjes me kryeministrin e Bahamas, Philip Davis, pas aktit të njohjes dhe vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy shteteve në dhjetor.
Ajo ka theksuar se marrëveshja pasqyron angazhimin e përbashkët për forcimin e partneritetit ndërmjet Kosovës dhe Bahamas, duke thelluar bashkëpunimin dhe duke afruar më shumë popujt e dy vendeve.







