Më shumë se 400 persona janë evakuuar pasi një zjarr i madh përfshiu një zonë banimi në juglindje të Norvegjisë, duke shkatërruar më shumë se 100 shtëpi, ndërsa zjarrfikësit vazhduan të luftojnë me flakët, transmeton Anadolu.
Zjarri shpërtheu në një shtëpi në zonën Krokstadelva të Drammen dje pasdite përpara se të përhapej me shpejtësi në shtëpitë fqinje dhe pyjet përreth.
Sipas transmetuesit norvegjez NRK, policia e rajonit tha se zjarri mbetet jashtë kontrollit, megjithëse rreziku i përhapjes në ndërtesa të tjera banimi është zvogëluar.
Autoritetet thanë se zjarrfikësit ende po përballeshin me vatra të fshehura zjarri dhe zjarre më të vogla në të gjithë zonën.
Rreth 100 zjarrfikës nga 10 shërbime zjarrfikëse dhe shpëtimi, si dhe 17 stacione zjarrfikëse, janë përfshirë në operacion gjatë 24 orëve të fundit. Në vendngjarje vazhdojnë të jenë 12 automjete zjarrfikëse, me mbështetjen e forcave të armatosura, mbrojtjes civile dhe policisë.
Drejtoria Norvegjeze për Mbrojtjen Civile (DSB) bëri të ditur se gjashtë helikopterë zjarrfikës janë angazhuar për luftimin e zjarrit, ndërsa shtatë të tjerë mbeten në gatishmëri në jug të Norvegjisë. Helikopterët kanë hedhur rreth 800.000 litra ujë mbi zonën e prekur.
Drejtori i DSB-së, Lars Jacob Hiim, e përshkroi ngjarjen si zjarrin më të madh të këtij lloji të regjistruar në historinë moderne të Norvegjisë.
“Fatmirësisht, deri tani nuk kemi marrë raportime për persona të lënduar rëndë ose që kanë humbur jetën”, tha ai.
Autoritetet thanë se nuk ka raportime për banorë të zhdukur.
Dy persona u shtruan në spital për shkak të thithjes së tymit, përfshirë një pjesëtar të mbrojtjes civile. Një zjarrfikës pësoi lëndime të lehta, ndërsa tetë policë gjithashtu pësuan probleme nga thithja e tymit gjatë operacionit.
Kryetari i bashkisë Drammen, Kjell Arne Hermansen, e përshkroi ngjarjen si një “katastrofë”, duke theksuar se rreth 400 persona të evakuuar janë regjistruar në qendrën e evakuimit të bashkisë.
Ai tha se banorët e evakuuar po strehohen në disa hotele në qytet, ndërsa shumë prej tyre kanë qëndruar gjithashtu te të afërmit dhe miqtë.
Zyrtarët e zjarrfikësve thanë se aktualisht nuk ka rrezik që zjarri të përhapet në ndërtesa të tjera, megjithëse disa zjarre pyjore vazhdojnë të digjen në zonën përreth. Ekipet e zjarrfikësve u tërhoqën përkohësisht nga disa pjesë gjatë natës për shkak të rrufeve dhe stuhive.
Autoritetet thanë se reshjet e dendura të shiut të parashikuara për të shtunën pritet të ndihmojnë përpjekjet për shuarjen e zjarrit.







