Mbyllet kompania që kishte eksportua mish të prishur në Kosovë

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë kishte njoftuar atë Federale për Sigurimin e Rrjetit Ushqimor të Belgjikës për dyshimet në cilësinë e 20 tonëve mish që ishin sjellë nga Belgjika më 2016, njofton Klan Kosova.

Rrjedhimisht, një inspektor i agjencisë belge ishte dërguar për ta inspektuar cilësinë e këtij mishi, dhe përfundimi kishte qenë se e tërë kjo sasi mishi kishte qenë e prishur.

Edhe Klan Kosova kishte raportuar për këtë ngjarje në tetor të vitit 2016, ndërsa tash kjo agjenci, pas një viti e më shumë, ka mbyllur fabrikën “Veviba” që gjendet në Bastonjë të Belgjikës.

Hetuesit kanë gjetur një parregullsi në një thertore në Bastonjë, ku disa etiketa mbi mishin e ngrirë ishin hequr dhe ishin zëvendësuar nga të tjerat me data më të reja.

Mbikqyrësi i Sigurisë Ushqimore madje ka kontrolluar të gjitha fabrikat e grupit “Verbist” në Belgjikë, pasi që pjesë e këtij grupi është edhe “Veviba”.

Produktet e “Vevibës” po tërhiqen nga tregu të gjitha përnjëherë. Megjithatë, kjo agjenci (FASFC) nuk mundet ta determinojë qartazi se në ç’masë është shpërndarë në dyqanet dhe supermarketet belge mishi i procesuar në thertoret e “Vevibës”.