Mediave serbe nuk u pëlqen takimi Thaçi-Putin

Mediat serbe sot nuk po kanë ‘hapësirë’ të merren me çështje të tjera, pasi që qëndrimi i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi në Paris dhe takimet e tij me liderë botërorë po iu duken skandaloze.

Pas polemikave që u ngritën për shkak të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi i cili ishte ulur në rreshtin e dytë afër presidentit rus, Vladimir Putin ata kanë pasur edhe një takim zyrtar, shkruan ‘Blici’ serb, transmeton lajmi.net.

Gazeta thekson se Thaçi në llogarinë e tij në ‘Twitter’ ka publikuar disa fotografi me homologun e tij rus me të cilin tha se biseduan rreth dialogut Kosovë-Serbi.

“Lidhur me këtë çështje, presidenti Putin ishte i qartë. Nëse ju (Kosovë –Serbi) arrini marrëveshje paqësore, Rusia do ta mbështes këtë marrëveshje”, ka shkruar Thaçi.Tutje, theksohet se në ceremoninë e cila shënoi 100 vjetorin e Luftës së Parë Botërore në Paris pati protestë nga pala serbe për shkak të pakënaqësive me caktimin e ulëseve.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq reagoi pasi që Thaçi tërë kohën ishte i ‘pozicionuar’ afër liderëve më të rëndësishëm botërorë.Ndërkohë agjencia e lajmeve ruse ‘Tass’ ka raportuar se Kremlini nuk ka dhënë asnjë njoftim për takimin Thaçi-Putin.