Shkruan: Ismail SINANI
“Kur hyjnorja mohohet totalisht, përfundimi i pashmangshëm është se nuk ka asgjë tjetër që ta zëvendësojë përveç shpirtit të mohimit, djallëzores.” – thotë Tage Lindbom, në librin e tij “Miti i demokracisë”. Këtë e thotë një intelektual suedez i lindur para më shumë se 100 vjetësh, i cili në fillet e angazhimit të tij kishte qenë socialist i përkushtuar që kishte besuar se duke i shërbyer kauzës marksiste do të vinte paqja në botë, utopia me brirë, e që pastaj këndellet, reflekton. Ai, sikurse çdo njeri i mençur e i thellë në mendime, fillon të dyshojë, ashtu siç kanë vepruar pjesa dërrmuese e filozofëve. E kupton se kauza kishte qenë e rrejshme, e pakuptimtë… E kupton se njeriu pa besim, pa hyjnoren në të, është i destinuar në dështim dhe zhgënjim. Lindbom-i, dhe jo vetëm, por edhe shumë të tjerë në mbarë njerëzimin, e kuptojnë me kohë hilenë e atij sistemi që predikonte lirinë pa Zot, e bashkë me të edhe njeriun pa Zot. Por, a e kuptuam ne shqiptarët? A po e kuptojmë edhe sot hilenë dhe pasojat e atij regjimi?
Në vitin 1925, tetë vjet pas revolucionit bolshevik në Rusi, Hafiz Ali Korça shkroi një vepër, e cila nga elitat e kohës së tij e, pas tij, dhe nga ata të së sotmes, disi sikur qëllimisht lihet në harresë. Në atë kohë kur qarkullimi i dijes dhe informacionit ishte shumë i ngadaltë, ai arrin të kapë diçka që ndoshta po të ishte marrë si tezë (hipotezë bazë), sot shumëçka do ta kishim më të qartë. Shkroi veprën “Bolshevizma a çkatërimi i njerëzimit”. Toni i kësaj vepre në formë libërthi, përçon mesazhin sublim se e gjithë trajtesa filozofike që bëhet në përgjithësi ndër shqiptarët, por edhe në botë, është në rrugë të gabuar, pasi që me apo pa qëllim i shmanget pyetjes themelore se kush ishte Karl Marksi, cilit besim i takonte, kush ishin bankierët e kohës së tij, kush ishin pasanikët, kush ishin huadhënësit më të mëdhenj të parave me kamatë, kush ishin ata që udhëhiqnin industrinë, kush ishin ata që e udhëhoqën revolucionin komunist në Moskë, pse bash Rusia, pse jo Franca e Britania, pse jo Gjermania e SHBA-ja dhe, pyetja themelore, se përse pas këtyre “zhvillimeve politike” qëndron fryma çifute, diçka që gjithë intelektualët e mëvonshëm bëhen se nuk e shohin?! “Sot në Rusi komisioni i math që përmban bolshevizmën është prej (17) burrash, (12) janë çifutë. Nëpunësit të mëdhenj të Rusisë janë (550), po (450) janë Jehudinj, vetëm (100) janë moskovë, edhe Troçqit çifut është. Edhe kryetari i socialistëve Karl Maksi, çifut është. Në ç’do lëvizje, në ç’do luftë që ngjan po aty do të jetë kupëtimi e mentimi i naltë i çifutëve”, (f. 39).
E nëse Hafiz Ali Korça mund të etiketohet si islamik, atëherë pjesën tjetër të rrëfimit mund ta lexojmë nga pena e Hannah Arendt, vet hebreje, e cila në librin e saj “Origjinat e totalitarizmit” i shpjegon në detaje ato që u thanë më lart nga Mesjeta e këndej, duke i zbërthyer “të panjohurat” tona për shumë sisteme politike, përfshi këtu komunizmin, kapitalizmin, oligarkinë, fuqinë mediatike, shtrembërimin e të vërtetave… e kështu me radhë, e kështu me radhë.
Ky numër i revistës ndërlidhet me 35-vjetorin e rënies zyrtare të komunizmit në trojet tona, qoftë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut, qoftë në botë. Po kështu ky numër mëton ta trajtojë idenë se ku gjendemi sot pas 35 vjetësh. A jemi bërë demokratë apo jemi ende komunistë të ndrydhur? A jemi perëndimorë apo kemi rrëshqitur në kriza të ndryshme identitare? A kemi themeluar institucione demokratike apo i kemi riformatuar të vjetrat me disa ndërhyrje të vogla grimi? A ishin ngjarjet e dhjetorit në vitin 1990 revolucion apo ishin një hedhje pluhuri syve për ta pasur “një shpërthim të kontrollueshëm”, që dikush mos ta pësojë sikurse Çaushesku me gruan e tij?
E, pas këtyre pyetjeve, natyrshëm vijnë edhe pyetjet tjera: Kush janë politikanët e sotëm?; Cili është tabani i tyre ekonomik dhe cili është frymëzimi ideologjik?; Kush janë ata që udhëheqin me ekonominë e vendeve tona, e bashkë me to edhe të fateve të miliona njerëzve?; Po prokurorët dhe gjykatësit, sidomos në Shqipëri dhe Kosovë nga cilat familje vijnë?; Pse nuk kemi “marrje haku” në mënyrë institucionale ndaj atyre që “ua pinë gjakun me pambuk” shqiptarëve?; Ku gjenden sot pinjollët e tyre?; Kush janë pronarët më të fuqishëm të shtëpive mediatike?; Kush e çka e si e përse???, pyetje të këtilla ka pa fund.
Përse intelektualët e shkrimtarët që e trajtojnë atë periudhë të errët merren me përbuzje, ndonëse shumica edhe për nga fjalori dhe përmbajtja e narracioni, qëndrojnë shumë më mirë se “shërbëtorët e diktatorit e diktaturës komuniste”? Përse paraqiten nga mediat si shkrimtarë të “dorës së dytë”, ndonëse librat e tyre dhe paraqitjet e tyre janë të thella dhe me ton shumë njerëzor? Përse krijohen mite paprekshmërie për ata që dikur i thurnin elozhe diktatorit?
Duke qenë të ndarë në disa shtete e me shumicë në tre shtete, shqiptarët edhe “fatet komuniste” dhe post-komuniste i kanë të ndryshme, ndaj edhe pyetjet e dilemat në këtë rrafsh duhet shtruar në dimensione të tjera.
Përse sot gjithandej në trojet tona kemi liderë, gjithsesi me përjashtime (të vogla) që në matricën e të menduarit të tyre gjendet marksizëm-leninizmi? Nëse Enver Hoxha sundoi Shqipërinë për afro katër dekada, derisa e mori Zoti, përse sot kemi “demokratin” Sali Berisha që lufton për pushtet edhe pas tri dekada e gjysmë? Po kampi tjetër politik a është social-demokrat apo është nga ata për të cilët flet Lindbom-i, që na thotë se vijnë nga ajo klikë që komunizmin e ka transformuar në oligarki, ndërsa e shet si social-demokraci?
Ose, në Kosovë dhe Maqedoni të Veriut… sa politikanë kemi që janë marksistë e, bashkë me marksizmin e tyre, janë edhe islamofobë? Sa kemi prej tyre që shtiren se janë properëndimorë e, madje, edhe katolikocentrikë, e në fakt janë anti-Zot?
Përse edhe sot në shkollat tona “shërbehemi” nga librat e historisë “të shkruara” në kohën e komunizmit e që edhe sot e kësaj dite përdoren si frymëzim e prelud për “brezat e demokracisë”?
Ky debat vazhdon kështu me dilema e pyetje, për të konstatuar se sot në trojet tona nuk kemi parti komuniste, por kemi klika që kontrollojnë biznesin, mediat, gjyqësorin; kemi demokraci formale, por politikën në përgjithësi e kemi autoritare; kemi media të lira, por që thurin elozhe për autokracinë; kemi qytetarë të lirë, por jo edhe shumë të lirë për të zgjedhur; kemi institucione, por të kapura nga sistemi nga ata që udhëheqin; dhe, më e keqja, kemi rini apo, thënë më saktë, kishim rini, por që nuk i beson më askujt dhe kërkon arratinë.
Prandaj shtrohet pyetja: nëse jemi kështu, a i bie se neve na ka ndryshuar kodi gjenetik dhe nuk e vërejmë se në trupin tonë ende jeton komunizmi si një virus?
E nëse e dimë se komunizmi është kaq i keq, atëherë çfarë e mban atë gjallë? A mos vallë pyetja qëndron te Hafiz Ali Korça dhe te libri i tij, i cili na tregon se të keqen ndër njerëzinë, në këtë rast ndër shqiptarët, e mbajnë gjallë forcat okulte?
Apo, edhe siç thotë në librin e tij të fundit, “Bija e Minotaurit”, shkrimtari ynë i famshëm shqiptar, Agron Tufa, që jeton në arrati ngase forcat postkomuniste nuk e lanë në rehati në Shqipëri, se “sistemi ynë është i sajuar prej hipokritësh, i ndërtuar për hipokritët dhe i shfrytëzuar prej hipokritëve, që na detyron të përshtatemi me këto role palaçosh hipokritë. Sistemi është rrjeta, ndërsa ne jemi peshku në rrjetë. Pa u çarë rrjeta, peshku s’ka shans të shpëtojë”. Natyrisht ky është një dialog në roman mes bijës rebele dhe nënës marksist-leniniste, e cila është e bindur se diktatura komuniste është fjala e fundit e njerëzimit, por kjo nuk e zhbën vërtetësinë e arsyes së revoltës dhe domosdoshmërinë e “çarjes së rrjetës për të shpëtuar peshku”. Si duket rrjeta ende është e fortë, për fat të keq!
(Editoriali i revistës “Shenja”)








