Merkel bën thirrje për luftë kundër punës së fëmijëve

Kancelarja gjermane Angela Merkel ka kërkuar që të luftohet kundër punës së fëmijëve, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në fjalimin e saj të mbajtur në takimin e 108-të të Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO) në Gjenevë, Merkel tha se ILO për vite me radhë ka bërë përpjekje për t’i bërë kushtet e punës humanitare.

“Ekonomia duhet t’u shërbejë njerëzve”, tha Merkel e cila shtoi se kjo është shumë e rëndësishme në botën që globalizohet.

Ajo vuri në dukje se 12 qershori është Dita ndërkombëtare kundër punës së fëmijëve ndërsa ILO po zhvillon një fushatë me sloganin “Fëmijët nuk duhet të punojnë por duhet të ndjekin ëndrrat e tyre”. Merkel tha se fëmijët po përjetojnë një makth.

“Në botë janë 152 milionë fëmijë që detyrohen të punojnë. Gjysma e tyre janë nga 5-11 vjeç. Madje, 73 milionë prej tyre bëjnë punë të rrezikshme. Kjo është një situatë që nuk mund të pranohet në asnjë mënyrë. Ne duhet të luftojmë të gjithë së bashku”, tha Merkel.

Kancelarja gjermane tha se me rritjen ekonomike në botë duhet të sigurohet edhe progresi social ku fëmijët duhet të përfshihen në këtë. Merkel thekson se po shkohet në të kundërtën e zhvillimeve dhe se njerëzit kanë përshtypjen se “globalizimi po krijon shumë të pasur, por që po rrit pabarazinë sociale”.

Merkel ka tërhequr vëmendjen në migrimin e punësimit ku sipas parashikimeve të ILO-s rreth 232 milionë njerëz emigrojnë për të punuar.

Sipas saj, miliona njerëz janë shfrytëzuar dhe vazhdojnë të shfrytëzohen në sektorin e ndërtimit, bujqësisë dhe punës në familje ku shumica keqtrajtohen, jetojnë në kushte të ngjashme skllavërie dhe nuk i kundërshtojnë këto kushte.

Ajo nënvizon se rreth 700 milionë punonjës janë në varfëri dhe se lufta kundër vështirësive duhet të vazhdojë së bashku pa u lodhur në arenën ndërkombëtare.