Messi, shqetësimi i madh i Barcelonës

Leo Messi nuk qe në gjendje të luante minutat e plota në takimin me Villarrealin në “Camp Nou” për shkak të një dëmtimi muskulor në këmbën e majtë. Pavarësisht se mundi ta mbyllte pjesën e parë, trajneri Valverde preferoi ta mbante në stol për fraksionin e dytë (u aktivizua Dembele), për të mos rrezikuar një përkeqësim të gjendjes së tij fizike. Futbollisti do t’u nënshtrohet testeve mjekësore orët e ardhshme, për të përcaktuar më saktë kohën e rikuperimit, por kuptohet që për takimin me Getafen në fundjavë vështirë të jetë i disponueshëm, shkruan supersport.al.

Pa u mbushur gjysmë ore lojë, argjentinasi iu afrua pankinës për të marrë një trajtim të shpejtë nga stafi mjekësor. Ndiente shqetësime në zonën e aduktorit në kofshën e majtë. Pasi disa çasteve trajtim me masazh, Messi u kthye në fushë, e mbylli pjesën e parë, por duke i shmangur sforcimet.

Problemi i radhës fizik i Messit, në fakt, nuk ka lidhje me dëmtimin që e la për javë të tëra në infermieri në këtë fillim sezoni (kishte dëmtuar pulpën e djathtë).