Meta është zbuluar duke shkelur ligjin e Bashkimit Evropian për një sistem “inefektiv” ankesash për raportimin e përmbajtjes së paligjshme në Facebook dhe Instagram, përfshirë materialin abuzues ndaj fëmijëve dhe përmbajtjen terroriste, tha Komisioni Evropian, sipas The Guardian.
Komisioni gjeti se Meta ka futur hapa të panevojshëm në procesin e raportimit dhe përdor dizajne mashtruese (“dark patterns”) që mund të jenë hutuese dhe demotuese për përdoruesit. Kjo rezulton në mekanizma joefektivë për sinjalizimin dhe heqjen e përmbajtjes së paligjshme, duke shkelur Ligjin për Shërbimet Digjitale (DSA).
Problemet përfshijnë: mungesën e një mekanizmi të qartë “vërej dhe vepro” për raportimin e përmbajtjes së paligjshme, proces të vështirë apelimi për përdoruesit, dhe mungesë qasjeje të mjaftueshme për kërkuesit në të dhëna publike mbi ekspozimin e të miturve ndaj përmbajtjes së dëmshme.
Një zyrtar i lartë i BE-së tha se rasti nuk kishte të bënte vetëm me përmbajtje të paligjshme, por edhe me lirinë e shprehjes dhe me “moderimin që ka shkuar tepër larg”. Në të kaluarën, Facebook është akuzuar për “ndalim në hije” (shadow banning) të përdoruesve në çështje si Palestina, që do të thotë se përmbajtja e tyre ulet në renditje nga algoritmi.
Meta mohon shkeljen e DSA-së dhe thotë se ka futur ndryshime në opsionet e raportimit, procesin e apelimeve dhe mjetet e qasjes në të dhëna që nga hyrja në fuqi e ligjit.
Nëse nuk i përmbahet kërkesave të Komisionit, Meta mund të përballet me gjobë deri në 6 për qind të të ardhurave vjetore globale.
Henna Virkkunen, zëvendëskryetare e Komisionit për teknologji, siguri dhe demokraci, tha: “Platformat duhet të fuqizojnë përdoruesit, të respektojnë të drejtat e tyre dhe të hapin sistemet për mbikëqyrje publike”.
Hetimi është në bashkëpunim me autoritetin irlandez të shërbimeve digjitale, ku ndodhet selia e BE-së për Meta.








