Milionat e partive nuk i nënshtrohen auditimit

Janë më shumë se 4.2 milionë euro që u shpërndahen partive politike çdo vit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) për financim vjetor, pa llogaritur edhe mbështetjen financiare që marrin partitë nga biznese e kompani private.

Që nga viti 2013 deri në vitin 2016 nga buxheti i shtetit janë ndarë mbi 13 milionë euro për partitë politike, por të cilat që nga ajo kohë asnjëherë nuk janë audituar.

Në ndërkohë Kuvendi i Kosovës ka angazhuar një kompani që do ta bëjë auditimin financiar të partive, por njohës të çështjeve politike dhe përfaqësues të organizatave thonë se do të jetë shumë i vështirë auditimi pas një kohe kaq të gjatë.

Në anën tjetër, partitë politike thonë se gjatë tërë kohës kanë qenë transparente.

Organizata joqeveritare “Demokracia Plus” ka publikuar një grafikon bashkë me 13 milionë eurot e shpërndara për partitë politike që nga viti 2013 deri në vitin 2016.

Jusuf Zenaj, nga “Demokracia Plus”, thotë se këto shifra janë marrë nga paratë që KQZ-ja çdo vit ua ka shpërndarë partive politike, por të cilat, siç thotë ai, asnjëherë nuk janë audituar.