Ministrat e Jashtëm të Turqisë dhe Pakistanit diskutojnë për situatën mes Islamabadit dhe Nju Delhit

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, dhe Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm i Pakistanit, Muhammad Ishaq Dar, diskutuan të shtunën mbi zhvillimet e fundit mes Pakistanit dhe Indisë, bënë të ditur burime diplomatike.

Sipas burimeve nga Ministria e Jashtme turke, biseda mes dy zyrtarëve u zhvillua përmes një telefonate.

Tensionet mes dy fqinjëve bërthamorë u rritën të martën pas një sulmi të armatosur në Pahalgam, në Kashmirin e administruar nga India, ku mbetën të vrarë 26 persona, përfshirë 25 turistë indianë dhe një banor lokal.

Nju Delhi e përshkroi sulmin si një “sulm terrorist” me “lidhje përtej kufirit”, duke akuzuar Pakistanin për mbështetje, ndërsa Islamabadi u distancua nga ngjarja, duke shprehur shqetësim dhe ngushëllime për familjet e viktimave.

Në vazhdën e përshkallëzimit, të dy vendet pezulluan vizat për qytetarët e njëri-tjetrit, dëbuan këshilltarët ushtarakë dhe Pakistani mbylli hapësirën ajrore për linjat ajrore indiane.

India, gjithashtu, pezulloi në mënyrë të njëanshme Marrëveshjen e Vjetër të Ujërave të Indusit, e cila rregullon ndarjen e ujërave të gjashtë lumenjve të basenit të Indusit midis dy vendeve. Pakistani reagoi ashpër të enjten, duke paralajmëruar se çdo përpjekje për të devijuar ose ndalur rrjedhën e ujit do të konsiderohej një “akt lufte”.