Kryeministri indian Narendra Modi ka përsëritur se autorët dhe komplotistët e sulmit në Pahalgam “do të përballen me përgjigjen më të ashpër”.
Ai deklaroi se sulmi ndodhi “në një kohë kur demokracia po forcohej” në Kashmir, pa dhënë detaje mbi hapat konkretë të ndërmarra për forcimin e demokracisë në territorin e administruar nga India.
Qeveria e Modit në vitin 2019 i hoqi Kashmirit statusin e tij të veçantë, duke e vendosur atë nën administrim federal. Qeveria e zgjedhur rishtazi vitin e kaluar ka pak ose aspak ndikim në qeverisjen e rajonit.
Sipas ekspertëve, qasja e Modit që i jep prioritet sigurisë ka kontribuar në rritjen e largimit të popullsisë lokale, e cila që nga fundi i viteve 1980 ka përjetuar dhunë të vazhdueshme. Rebelët e Kashmirit, të cilët kërkojnë pavarësi ose bashkim me Pakistanin, kanë luftuar sundimin indian që prej asaj kohe.
Në programin e tij radiofonik “Mann Ki Baat”, Modi tha se kishte marrë thirrje, letra dhe mesazhe nga liderë botërorë që dënonin sulmin, duke shtuar se “e gjithë bota qëndron përkrah 1.4 miliardë indianëve në luftën tonë kundër terrorizmit”.








