Motivimi apo Disiplina?

Vehbi Zeqiri

Motivimi është vërtetë një ndër faktorët kyç për arritjen e qëllimeve dhe rezultateve të dëshiruara. Pra, është energjia ose forca që na shtynë të veprojmë drejt një qëllimi ose synimi.

Faktorët e brendshëm dhe të jashtëm që nxisin një individ drejt realizimit apo arritjes së qëllimeve dhe rezultateve të dëshiruara, konsiderohet motivim. Këta faktorë mund të jenë, entuziazmi, dëshira, pasioni, si dhe nxitja që na shtynë veprojmë.

Por, a është kjo e vërtetë apo ka edhe diçka tjetër të ‘pa thënë’?

Disiplina kërkon përpjekje të vazhdueshme, këmbëngulje në realizimin e qëllimeve, fokus dhe largim nga shpërqendrimet, tundimet dhe pengesat. Disiplina është vetëkontroll, respektim i rregullave dhe parimeve, dhe qëndrueshmëri.

Disiplina gjithashtu nënkupton edukimin dhe trajnimin e vazhdueshëm me qëllim të zhvillimit të aftësive, njohurive, dhe ekspertizës në fusha të caktuara, që ndihmojnë në arritjen e qëllimeve dhe rezultateve.

Motivimi siguron ‘ndezjen’ apo shkëndijën fillestare që nxitë frymëzimin për fillimin e realizimit të qëllimeve, përderisa nga ana tjetër disiplina vendosë ‘fatin’ e qëllimit apo rezultatit të dëshiruar, përmes përpjekjeve të vazhdueshme dhe të qëndrueshme. Motivimi ka tendenca të luhatjes gjatë kohës, prandaj mbështetja vetëm në faktorët e motivimit mund të çojë në mos përmbushjen apo arritjen e qëllimeve, në disa raste edhe braktisjen e qëllimeve.

Disiplina ndihmon në ruajtjen e vrullit dhe qëndrueshmëri edhe gjatë periudhave kur motivimi është i ulët apo bie plotësisht. Disiplina ndihmon në frenimin e impulseve, rregullimin e emocioneve, dhe qëndrueshmërinë përballë sfidave gjatë rrugëtimit.

Përvojat jetësore na kanë mësuar që ka më shumë njerëz të motivuar se sa të disiplinuar. Gjithashtu, njerëzit e motivuar e kanë më të vështirë ta sigurojnë edhe disiplinën, e nga ana tjetër njerëzit e disiplinuar gjithmonë do të gjejnë motivim të vazhdojnë, sepse thjeshtë, nuk e kanë ndjesinë e fajit dhe dëshpërimit për mos angazhimin e tyre në realizimin e qëllimeve.

Prandaj, kushtoni vëmendje më të theksuar disiplinës dhe ushtrojeni veten me këtë rutinë të dobishme, edhe nëse mendoni që e keni. Ju premtoj që me një angazhim të vogël dhe vazhdimësi, do ta zotëroni këtë aftësi dhe cilësi të dobishme për të gjitha sferat e jetës.

Bëhu i dobishëm për vete, familjen tënde, dhe shoqërinë përmes disiplinës dhe motivimit.

Pra mos harroni, motivimi dhe disiplina mund të kultivohen dhe forcohen përmes angazhimit të vazhdueshëm dhe mendësisë së duhur!

Vehbi Zeqiri

Lidership, Inteligjencë Emocionale, dhe Avancim Personal