Muhamedi a.s. -Trëndafil me aromë përherë

“Është e vërtetë se njeriu është i prirë të jetë i padurueshëm. Sepse, kur e godet ndonjë e keqe, ai ankohet së tepërmi. Ndërkaq, kur e gjen e mira, ai bëhet tepër koprrac. Përveç atyre që falen, të cilët janë të rregullt në faljen e namazit të tyre.” (El Mearixh, 19-23)

Krijuesi i Plotfuqishëm njeh më së miri fshehtësitë e krijesave. Allahu i Madhërishëm është Krijues, ndërsa njeriu krijesë. Për këtë është e kuptueshme për ne kjo e vërtetë kur’anore: ”Është e vërtetë se njeriu është i prirë të jetë i padurueshëm. Sepse, kur e godet ndonjë e keqe, ai ankohet së tepërmi. Ndërkaq, kur e gjen e mira, ai bëhet tepër koprrac. Përveç atyre që falen, të cilët janë të rregullt në faljen e namazit të tyre”. (El Mearixh, 19-23).
Këtu na ofrohen dy të vërteta – negative, e cila njeriun e orienton tek mungesa e shpresës, dhe pozitive, e cila njeriun e orienton nga qëllimi i lartë – sublim.
Zgjedhja është jona – të mbetem në gjendjen primitive të njeriut me shpirt të vogël, të cilit kur t’i ndodhë e keqja, dëshpërohet, bie në depresion, ndërsa në qetësi (rehati) – krenohet; Apo, të bëhem njeri, i cili në qetësinë e namazit mbrohet nga zhurma e madhe, i cili në mirësinë e tij sheh obligimin e tij, me qenë në shërbim dhe ndihmë njerëzve, i cili e di që të gjitha rrugët udhëzojnë nga kanë filluar, aty ku çdo gjë kthehet, dhe aty ku gjendet shpëtimi dhe lumturia e përhershme, ai i cili di që shpirtin e ndjeshëm e lëndon dhe ofendon epshi i ashpër i
trupit në vendin publik, i cili ka mësuar që fjala e dhënë është virtyt i lartë i njeriut fisnik.
Ky është njeriu i cili në çdo moment dhe në çdo vend dëshmon të vërtetën. Pra, feja kultivon dhe njeriun e formëson mu sikurse kultivohet bima. Shartimi i njeriut bëhet me Kur’an, i cili njeriun primitiv e fisnikëron, mu sikurse shartohet pema për të dhënë fruta të dëshiruara, si me modestinë , mirësinë, përgjegjësinë, nderin, besnikërinë dhe sinqeritetin.
A ka sot kërkesa më të mëdha në tregun moral se këto fryte? A ka diçka më të rëndësishme në këtë botë se edukimi i njeriut? A ka diçka më të rëndësishme në këtë planet se shpëtimi i jetës së njeriut? A ka mesazh më të shenjtë për ne, se mesazhi i shenjtë i Kur’anit? A ka më të afërt dhe më të dashur për ne se Pejgamberi a.s.?
Është fare e qartë se ata që këto ditë shfaqen përsëri në skenë me karikaturat ndaj mëshirës për botët – Muhamedit a.s. dhe lajmërojnë paraqitjen e një filmi të keq për Kur’anin a.sh., nuk kuptojnë se për ne nuk ka mesazh më të shenjtë se mesazhi kur’anor si dhe nuk ka dashuri e respekt në zemrat tona, se dashuria dhe respekti ndaj Muhamedit a.s.. Për këtë arsye përpjekjet e tyre që të na largojnë nga Pejgamberi ynë, në realitet ndezin edhe më fuqishëm dashurinë tonë ndaj Muhamedit a.s..
Nuk ka besimtar në rruzullin tokësor, të cilët e duan aq shumë Muhamedin a.s., e nuk e kanë parë, të cilin aq shumë e respektojnë, e nuk i ngrenë lapidarin, aq shumë e ndiejnë, e nuk vizatojnë në letër fytyrën e tij, aq shumë e pasojnë, por nuk valëvitin foton e tij nëpër rrugë. Sepse kjo nuk u duhet, ngase besimtarët, Muhammedin a.s. e bartin në zemrat e tyre, në frymëmarrjet e tyre dhe e pasojnë në jetët e tyre.
Ata që, me urrejtjen e tyre ndaj Kur’anit dhe Pejgamberit a.s., dëshirojnë t’i lëndojnë myslimanët, harrojnë se drita e Islamit mënjanoi errësirën nga myslimanët, që dhurata e besnikërisë i ruan nga qëllimet e këqija, që fjala e mirë i liron nga kujtimet e këqija, që emri i Muhammedit a.s. i fuqizon në rrugën e shërimit moral. Gjithashtu, ata harrojnë që myslimanët e dinë që nuk ka dallim në mes Ebu Xhehlit të vjetër dhe të riut, ai i cili ndaloi Muhammedin a.s. për ta kryer namazin, i cili mendoi se ishte në rrugë të drejtë, ai i cili kundërshtoi dhe ktheu kokën – a thua, ai dhe Ebu Xhehlët e rinj mendojnë se Allahu xh.sh. nuk sheh veprimet e tyre?!

Islami është begati, sikurse begatia e Diellit

Gjithsesi, Allahu i Madhërishëm sheh çdo gjë, prandaj, kur dëgjojmë se Ebu Xhehli i ri në Holandë, Danimarkë e gjetiu, lajmëron për karikaturat e reja dhe filmin, me qëllim që ta nënçmojë fenë tonë, duhet t’u referohemi verseteve të Kur’anit fisnik:”E s’ka dyshim se ata janë të cilët fyejnë Allahun dhe të dërguarin e Tij, ata i ka mallkuar Allahu në Dynja e në Ahiret dhe për ta ka përgatitur një dënim të dhembshëm”. (El Ahzabë, 57)
Të mos harrojmë se ai që fyen ndjenjat e tjetrit, tregon dobësinë e tij para fuqisë shpirtërore të tjetrit.
Islami është begati, sikurse begatia e Diellit, i cili i nxeh të gjithë edhe ata që e shohin, edhe ata që nuk e shohin.
Sa bukur e thekson këtë dritë të Islamit Allahu xh.sh. në Kur’anin fisnik:”Ata duan ta shuajnë dritën e Allahut me gojët e tyre, po Allahu e plotëson (e përhap) dritën e vet, edhe pse e urrejnë jobesimtarët”. (Es- Saff, 8)
Kjo zhurmë që po përsëritet rreth nesh, nuk duhet të na hutojë, por duhet t’i mprehë të gjitha shqisat tona për të qenë vigjilentë, për të parë më mirë, për të dëgjuar më mirë atë që duhet dëgjuar, për të ndier atë që duhet ndier, për të mirën e fesë sonë dhe të atdheut tonë.
Të mos harrojmë se veshi ynë duhet të dëgjojë mesazhin hyjnor në të cilin është shpëtimi ynë, por edhe nevojat e njerëzve – në të cilin është
suksesi ynë në këtë botë.
Para nesh është muaji i lindjes së Pejgamberit tonë të dashur, a.s., në të cilin do të përkujtojmë njeriun më të mirë, më fisnikun e tërë pejgamberëve, Muhammedin a.s., i cili është shembulli, modeli më i mirë për besimtarët. Ashabët patën nderin të flisnin, të bisedonin, të udhëtonin, të faleshin me krijesën më të mirë
të kozmosit! Përse? Sepse asnjë gur nuk i dha selam askujt si atij. Sepse askujt ushqimi nuk i ka bërë tesbih. Sepse askush, përveç tij, nuk e ndau Hënën në dy pjesë.
Për askënd nuk ka qarë trungu i palmës, përveçse për të dashurin tonë. Dora e bekuar e lëmoi dhe e shtrëngoi në gjoks, dhe trungu u qetësua. Pejgamberi a.s. i tha: “Zgjidh njërin prej dy gëzimeve, të bëhesh pemë e frytshme në Dynja apo pemë e Xhennetit”.
Druri zgjodhi gëzimin e dytë, dhe Pejgamberi a.s. ia premtoi tri herë.
Pastaj i Dërguari a.s. u tha ashabëve: “Pasha atë, në dorën e të cilit është shpirti im, sikur të mos e qetësoja trungun, do të qante deri në ditën e Gjykimit nga mallëngjimi për Pejgamberin a.s.”.. Kur trungu qau për Muhammedin a.s., a thua sa lot derdhim ne për Pejgamberin tonë, a.s.?
Allahu i Madhërishëm na bëftë me përjetimin e trungut për Muhammedin a.s. dhe le të na ringjallë nën flamurin e tij.
Prandaj le të ripërtërijmë besën e dhënë Allahut xh.sh. dhe Muhammedit a.s. , se do ta mbrojmë me dinjitet dhe dashuri të thellë tërë veprën madhore të tij, sakrificën e tij që ka bërë, dhe do ta bëjmë për Ymetin e tij.
Të jemi më unikë se kurrë në pasimin e rrugës dhe veprës së tij, të jemi të mirësjellshëm ndaj prindërve tanë, fëmijëve tanë. Të mos harrojmë se jemi vëllezër në besim dhe bashkudhëtarë në jetë dhe që e duam paqen dhe mirëqenien në botë.
Ne nuk jemi të dehur nga urrejtja, ne nuk jemi të magjepsur nga zullumi dhe nuk jemi të veshur me hakun e huaj!
O Zot i Plotfuqishëm, na forco në qëllimin tonë për të qenë të bindur ndaj Teje dhe të dëgjueshëm ndaj të Dërguarit Tënd!
O Zot i Gjithëdijshëm, na mëso që të dallojmë qartë të mirën dhe të keqen, në mënyrë që të pasojmë të mirën dhe të largohemi nga e keqja!
O Zot Hirmadh, na bëj të thithim aromën nga trëndafilishta e Pejgamberit tonë, a.s.!
O Zot i Gjithëmëshirshëm, na mëshiro ne në bashkim vëllazëror dhe dashuri, dhe na bashko në rrugë drejt qëllimit të përbashkët, në pasimin e denjë të Synetit të Pejgamberit a.s.!

Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi  /islamgjakova