Mustafa me Lunaçekun flasin për demarkacionin dhe vizat

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, është takuar me eurodeputeten Ulrike Lunaçek me të cilën ka biseduar për rrugën integruese evropiane.

Kryeministria ka njoftuar se Mustafa njoftoi Lunaçekun për implementimin e MSA-së, masat që po ndërmerren në zhvillimin e mëtejmë ekonomik, implementimin e reformave në fusha të ndryshme, strategjitë zhvillimore, qëndrueshmërinë buxhetore si dhe për fuqizimin e vazhdueshëm të shtetit ligjor e luftën kundër korrupsionit.

Gjatë takimit, u bisedua edhe për Agjendën e Reformave Evropiane, e cila u miratua një ditë më parë në Qeverinë e Kosovës.

Ata biseduan edhe për demarkacionin dhe për liberalizimin e vizave për kosovarët.

“Mustafa e Lunaçek biseduan edhe për domosdoshmërinë e adresimit të çështjes së demarkacionit, në mënyrë që qytetarëve të Kosovës të mos iu pamundësohet edhe më tutje lëvizja e lirë në vendet e Bashkimit Evropian”, thuhet në njoftim.