Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Në gjyqin për tragjedinë në Koçan dëshmuan të lënduarit dhe të dëmtuarit,...

Në gjyqin për tragjedinë në Koçan dëshmuan të lënduarit dhe të dëmtuarit, seanca vazhdon më 2 shkurt

Me dëshmi të të lënduarve dhe dëmtuarve vazhdoi procesi gjyqësor në sallën e gjyqit në Idrizovë pranë Gjykatës Themelore Penale në Shkup për zjarrin në diskotekën “Pulse” në Koçan, raporton Anadolu.

Gjykatësja Dijana Gruevska-Ilievska theksoi se pa rend dhe disiplinë, nuk ka gjykim, duke paralajmëruar se çdo shkelje e rendit publik do të sanksionohet dhe kjo vlen për të gjithë – palët e dëmtuara, të pandehurit dhe avokatët mbrojtës.

Sot dëshmuan Kristijan Panov, Ivan Danailov, Toshe Trendafilov dhe Martin Kitanov të cilët përshkruan atmosferën e panikut dhe kaosit që u krijua kur flakët dhe tymi përfshiu diskotekën e mbushur me njerëz, si dhe pasojat që vuajnë deri më sot.

Gjyqi për tragjedinë në të cilën humbën jetën 63 persona ndërsa mbi 200 u plagosën, do të vazhdojë më 2 shkurt.

Në seancën e radhës me propozim të Prokurorisë Publike është planifikuar të dëgjohen përfaqësuesit ligjorë të palëve të dëmtuara.

Të gjithë të akuzuarit në fillim të gjykimit deklaruan se nuk ndihen fajtorë për tragjedinë.

Në orët e hershme të mëngjesit të 16 mars 2025, në klubin e natës “Pulse” në Koçan shpërtheu një zjarr si pasojë e mjeteve piroteknike gjatë mbrëmjes argëtuese, ku humbën jetën 63 persona dhe mbi 200 u plagosën.

Hetimet fillestare pas incidentit zbuluan se objekti në fjalë ka funksionuar me licencë të rreme dhe për vite me radhë ka operuar pa përmbushur standardet e nevojshme.

Në bankën e të akuzuarve janë 37 persona: menaxherë, pronarë, ish-kryetarë komunash, inspektorë, personel sigurimi dhe zyrtarë shtetërorë.