Në rininë time…

Muhamed Al maghout

U përpoqa të bëhem kasap, por dështova, sepse më shumë haja mish sesa shisja.
Pastaj, tentova të bëhem rrobaqepës, por edhe aty dështova, sepse gjilpërat i ngulja më shumë në mishin ne klientëve sesa në stofrat e tyre.
Më tej, u orvata të bëhem yll futbolli, por dështova sepse kisha bindjen se ka plot gjëra të tjera që meritojnë të shqelmohen më shumë sesa një top lëkure.
Radhën e kishte përpjekja ime e kotë për tu bërë këngëtar i njohur, por edhe aty dështova, sepse më thanë që kordat e mia zanore vlenin vetëm për tellall, jo për të përcjellë emocione e ndjenja tek njerëzit.
Më vonë u rreka të tërhiqem nga bota dhe të bëhem mistik eremit, por edhe këtu dështova, sepse nuk gjeta as dhe një copë tokë të lirë në vendin tim ku të vija ballin e të lutem me përgjërim.
Së fundmi, u përpoqa të bëhem lider politik, pas të cilit do të rendnin kasapët, këngëtarët, futbollistët dhe mistikët, por pas mu vunë vetëm agjentët e shërbimeve sekrete.

Muhamed Al maghout, shkrimtar sirian
Perktheu: Elmaz Fida