Nesër Kuvendi mban seancë komemorative për Adem Demaçin

Kuvendi i Kosovës nesër do të mblidhet në seancë komemorative, në nderim të jetës dhe veprës së Adem Demaçit.

Këtë vendim e ka marrë Kryesia e Kuvendit e cila ka mbajtur një mbledhje të jashtëzakonshme sonte në orët e vona, pas vdekjes së veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare, Adem Demaçi.

Në nderim të tij, Kryesia mbajti një minutë heshtje, njofton Klan Kosova.

Kryeparlamentari Veseli, në emër të Kuvendit dhe në emrin e tij personal, u shprehu ngushëllime familjes Demaçi dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës, për humbjen e, siç e cilësoi Veseli, heroit të kombit, Adem Demaçi.

Kryesia njëzëri vendosi që nesër në orën 11:00, Kuvendi të mblidhet në seancë komemorative, në nderim të jetës dhe veprës së Adem Demaçit.

Po ashtu, u vendos që seanca plenare e Kuvendit, e ndërprerë sot, të vazhdojë të hënën, në orën 10:00.