Neymar kthehet në mollë sherri mes PSG dhe Barçës

Tension i lartë në aksin PSG-Barcelona për Neymar, sipas të përditshmes katalanase Sport, braziliani ka vendosur të mos luajë më asnjë miqësore me fanellën e klubit aktual, deri sa të jetë e hapur merkatoja, që në Spanjë mbyllet në 2 shtator. Sport flet për një akord që Neymar ka me Barcelonën me synim që të fitojnë ndaj rezistencës së francezëve që nuk lëvizin nga kërkesa fillestare prej 300 milionë eurosh. Drejtori sportiv i Paris Saint Germain, Leonardo ka fluturuar drejt Kinës për të takuar Neymar me synimin që ta bindë të qëndrojë edhe për një vit, por braziliani duket i palëkundur në vendimin për t’u rikthyer në Camp Nou, shkruan supersport.al.

Ndërkohë në Francë, i rimarrë në dorë është titulli i të përditshmes L’Equipe, që nënvizon se PSG nuk ka asnjë synim për ta lënë të largohet Neymar përveçse me kushtet e vendosura nga klubi. Për kampionët e Ligue 1 në çdo rast situata po bëhet e padurueshme dhe krijon jo pak probleme. Kontratat e firmosura për turneun në Kinë parashikojnë edhe aktivizimin e futbollistit brazilian, ndërkohë që edhe grupi në dhomat e zhveshjes nuk tolereon më kapriçot e Neymar, duke rrezikuar kështu shumë. Krejt ndryshe është raporti me Tuchel me brazilianin dhe teknikun që kanë ruajtur respektin reciprok, por trajneri kërkon që çështja të zgjidhet sa më shpejt të jetë e mundur për të mos destabilizuar ambientin. Për momentin, ndërkohë Barcelona nuk ka formuluar një ofertë zyrtare.