Një lidhje reale

Për herë të parë ne kemi prova të qarta të lidhjeve të papërshtatshme mes Rusisë dhe rrethit të ngushtë të Trump-it. Këto zbulime mund të tregojnë shkelje “të cilat fare mirë mund të arrijnë deri tek vetë presidenti”, i cili filloi t’i bëjë thirrje publikisht Rusisë që të publikojë emailet e Clinton-it, menjëherë pas takimit të djalit të tij. A është vërtetë e besueshme që djalit të Trump-it, dhëndrrit të tij dhe menaxherit të fushatës, iu tha se Rusia kishte informacione që e ndihmonin të fitonte kundër Clinton-it, dhe këta nuk ia përmendën asnjëherë vetë kandidatit?bota.al.

Në një zbulim-bombë që tronditi jo pak Shtëpinë e Bardhë, djali më i madh i Presidentit Donald Trump pranoi këtë javë se ishte takuar me një avokate të lidhur me Kremlinin vitin e kaluar, pasi i ishte premtuar se ajo kishte “informata sensitive të një niveli shumë të lartë”, për Hillary Clinton-in. Donald Trump Jr-it, iu tha në një email të dërguar prej publicistit britanik Rob Goldstone, një ndërmjetës që e njihte nga koha e shfaqjes së babait të tij, “Miss Universe”, në Moskë, se propozimi ishte “pjesë e mbështetjes së Rusisë dhe qeverisë së saj” për babanë Donald. “Nëse është ajo që thoni”, u përgjigj Trump Jr, “më pëlqen shumë”. Ai e përcolli shkëmbimin e emaileve tek kunati i tij Jared Kushner dhe menaxheri i fushatës së babait të tij, Paul Manafort. Të tre u takuan me avokaten Natalia Veselnitskaya, në Kullën Trump, më 9 qershor 2016.

Trump Jr., i cili tani drejton biznesin familjar, fillimisht pohoi këtë javë se takimi ishte rreth një programi adoptimesh, i ndërprerë nga Kremlini, në përgjigje të sanksioneve të SHBA. Por kur “The New York Times” zbuloi më pas se email-et tregonin, që në fakt ai mendonte se takimi do i ofronte materiale kompromentuese për Clinton-in, Trump Jr deklaroi se Veselnitskaya nuk kishte ofruar asgjë substanciale, i publikoi vetë e-mailet dhe këmbënguli që kurrë nuk i kishte treguar babait për ofertën e qeverisë ruse. Presidenti, i cili thuhet se ishte thellësisht i irrituar që historia e Rusisë nuk po shuhej, tha se djali i tij “është një person me cilësi të larta, i hapur, transparent dhe i pafajshëm”.

Zbulimet e Trump Jr erdhën vetëm disa ditë pas takimit të parë kokë më kokë, të presidentit Trump me presidentin rus Vladimir Putin, gjatë samitit të G-20 në Hamburg. Pas bisedës dy orëshe, Putin-i tha se Trump-i kishte pranuar sigurimet e dhëna prej tij, se nuk kishte patur ndërhyrje ruse në zgjedhje. Shtëpia e Bardhë e vuri në diskutim këtë version, duke thënë se Trump-i “kishte shtyrë fort Putin-in” për këtë çështje, por kish rënë dakord se “është koha për të ecur përpara”. Trump-i tha gjithashtu se ai dhe Putin-i kishin bërë përparime të rëndësishme për një armëpushim në Siri, dhe se kishin në plan të krijonin një njësi të përbashkët dhe të papenetrueshme të sigurisë kibernetike – një pretendim që ai më pas e hodhi poshtë.

Çfarë shkruajtën editorialet

E-mailet e Trump Jr. “konfirmojnë atë që presidenti, djali i tij dhe të tjerët kanë mohuar vazhdimisht për më shumë se një vit”, shkruante “The New York Times”: Zyrtarët e fushatës së Trump-it u takuan me përfaqësuesit e qeverisë ruse, për të kërkuar ndihmë në fitimin e zgjedhjeve. “Çdo ekip fushate, qoftë edhe gjysmë i aftë dhe etik” do të kishte përcjellë një ofertë të një qeverie të huaj për të ndikuar në zgjedhjet e SHBA, drejt e në FBI. Në vend të kësaj, Trump Jr, Manafort-i dhe Kushner-i u ulën me ta. Tani Trump Jr “duket të jetë në telashe nga pikëpamja ligjore” për shkeljen e ligjeve të fushatës, pasi ka kërkuar ndonjë “gjë me vlerë” nga zyrtarë të huaj.

Vendimi për t’u takuar me Veselnitskaya-n ishte “i turpshëm”, shkruante “NationalReview.com”, por ai “nuk provon se fushata e Trump-it bashkëpunoi me Rusinë”. Është e besueshme se Goldstone e mashtroi me qëllim Trump Jr, për të hedhur baltë mbi Clinton-in, në mënyrë që “të fuste brenda Veselnitskaya-n”, me qëllim që të lobonte për heqjen e sanksioneve, dhe se “asgjë tjetër nuk doli prej kësaj”. Por “do të ishte më e lehtë për të besuar mohimet e ekipit Trump, nëse ata nuk do të mashtronin në mënyrë kaq rutinore”. Trump Jr e ndryshoi disa herë versionin e tij të historisë, dhe Kushneri “fillimisht nuk e zbuloi takimin, gjatë procesit të aplikimit për lejën e sigurisë”. Publiku ka nevojë për një hetim të plotë mbi atë që ka ndodhur midis Trump-it dhe Rusisë – “tani më shumë se kurrë”.

Çfarë shkruajtën komentatorët

Agjencitë e zbulimit të SHBA na thanë se “qëllimi i Putinit është që të dërgojë Trump-in në Shtëpinë e Bardhë”, shkruante Cristian Farias në “NYMAG.com”, por për herë të parë ne kemi prova të qarta të lidhjeve të papërshtatshme mes Rusisë dhe rrethit të ngushtë të Trump-it. Këto zbulime mund të tregojnë shkelje “të cilat fare mirë mund të arrijnë deri tek vetë presidenti”, i cili filloi t’i bëjë thirrje publikisht Rusisë që të publikojë emailet e Clinton-it, menjëherë pas takimit të djalit të tij. A është vërtetë e besueshme që djalit të Trump-it, dhëndrrit të tij dhe menaxherit të fushatës, iu tha se Rusia kishte informacione që e ndihmonin të fitonte kundër Clinton-it, dhe këta nuk ia përmendën asnjëherë vetë kandidatit?

Më vjen keq, por ky është një “skandal fals”, shkruante Ed Rogers në “WashingtonPost.com”. “Ka gjithmonë njerëz që u vardisen fushatave në përpjekje për të dhënë informacion”. Trump Jr ishte aq budalla sa të pranonte takimin – ai duhej të kishte dërguar dikë tjetër – por përderisa “nuk ndodhi asgjë”, atëherë s’ka patur bashkëpunim.

Nëse, siç këmbëngulin mbrojtësit e Trump-it, lidhja Trump-Rusi është një “shumë zhurmë për asgjë”, shkruante Mateu Yglesias në “Vox.com”, atëherë pse Trump vazhdon të veprojë sikur Putin-i të jetë udhëheqësi i tij i preferuar në botë? Pothuajse të gjithë të tjerët në Kongres, si dhe në kabinetin e Trump-it, e shohin Putin-in si një armik të rrezikshëm, i cili ndërhyri në zgjedhjet tona, por presidenti mbetet i lidhur ngushtë me idenë e një politike të jashtme miqësore me Rusinë. Pse?

Ajo që unë nuk e kuptoj, shkruante Jonas Goldberg në “NationalReview.com”, “është se si konservatorët mund të tallen, tallen dhe tallen me idenë se mund të ketë një farë të vërtete në këtë histori”. Trump shkarkoi drejtorin e FBI dhe i tha ambasadorit rus, si edhe një audience televizive kombëtare, se e bëri këtë për “të penguar hetimin mbi Rusinë”. Djali dhe dhëndri i tij kanë pasur kontakte të shumta dhe të fshehta me bankierë rusë, oligarkë dhe aleatë të Putinit. Sa herë që apologjetë e Trump-it dalin që ta mbrojnë, presidenti “nxjerr sharrën”.