Njeriu i specializuar…

Hoxhë Vladimir Kera

Për arsye të teknikës (sistemit, rregullit) si “zoti” i modernitetit, njeriu i kësaj kohe është bindur plotësisht se duhet të profilizohet në një drejtim deri në skajin më të thellë e deri në vdekje. Kjo sjellje ndaj teknikës së specializimit ia bën të pamundur të kuptojë tërësinë e jetës përtej specializimit duke e bërë çdo ditë e më shumë një robot që kryen një funksion për të cilin është specializuar. Kjo e ka bërë njeriun modern të aftë në një drejtim dhe totalisht te paafte të jetë (normal) pra të ketë aftësinë që të kuptojë jetën në tërësi.
Ai mbetet pothuajse i painformuar se çfarë ndodh, si po zhvillohet jeta njerzore, si është gjendja në tërësi e jetës rreth njeriut..etj. Ky lloj formati teknik i qasjes së profilizimit dhe specializimit prodhon njerëz që njohin vetëm një drejtim të jetës dhe për fatin e keq e shikojnë jetën vetëm nga një dritare ajo për të cilën është specializuar.
Vetëm në epokën e teknikës dhe robotikës njeriu është bërë një dimensional dhe prandaj sot flitet për zëvendësimin e njeriut me robot. Me këtë nuk kuptojnë braktisjen e specializimit në fusha të ndryshme, por tërheqjen vëmendje se njeriu është shumë dimensional, nuk është thjesht qënje mekanike e specializuar por është mbi të gjitha qënje e ekuilibruar dhe normale.
Njeriu normal ka shpirt, ka mendje, ka ndjejnë, ka farefis, ka vdekje, ka martesa, ka njerëz që kanë nevojë, ka njerëz për të cilët ai ka nevojë, ka njerëz që ju bëhet padrejtësi, ka njerëz që ju mohohet drejtësia. Të gjitha këto për njeriun robot nuk janë shqetësim sepse nuk është i specializuar. Ndërsa për njeriun normal janë shqetësime sepse ai është njeri, jo robot.

Nga: Hoxhë Vladimir Kera