Ballina Artikuj Njeriu në këndvështrimin e materialistëve

Njeriu në këndvështrimin e materialistëve

Shejh Jusuf Kardavi (r.a)

Në të vërtetë, Ne i kemi nderuar bijtë e Ademit: ua kemi bërë të mundur që të udhëtojnë në tokë dhe në det, u kemi dhënë ushqime të mira e të lejuara dhe i kemi ngritur lart mbi shumë prej atyre që kemi krijuar..”[1]

Çfarë është njeriu?

Sipas materialistëve, njeriu nuk është veçse një grusht dheu i kësaj toke. Nga toka ka ardhur, mbi tokë ecën, prej tokës ushqehet dhe, në fund, në tokë kthehet.

Ai është një masë mishi, gjaku, kockash, nervash, organesh, gjëndrash dhe qelizash. Sipas këtij këndvështrimi, edhe arsyeja dhe të menduarit nuk janë veçse lëndë që truri sekreton, ashtu siç sekreton tëmthin mëlçia apo urinën veshka!

Njeriu është një qenie pa ndonjë rëndësi apo epërsi ndaj krijesave të tjera. Ai është thjesht njëri prej shumë organizmave të gjallë e të larmishëm që popullojnë këtë tokë. Madje, sipas kësaj pikëpamjeje, ai i përket të njëjtit grup me krimbat, insektet, zvarranikët dhe majmunët. E vetmja gjë që e dallon është se, me kalimin e kohës, ai ka “evoluar” dhe është shndërruar në njeriun që njohim sot.

Toka ku jeton njeriu nuk është veçse një planet i vogël brenda sistemit diellor. Ndërsa vetë sistemi diellor është vetëm njëri prej miliona sistemeve të mëdha që përbëjnë universin e pafundmë të trupave qiellorë.

Kështu na e ka bërë të ditur astronomia moderne. Që nga Koperniku, kemi kuptuar se njeriu zë një vend fare të vogël në universin e paanë. Kjo, për sa i përket hapësirës.

Sa i përket kohës, Darvini dhe gjeologët që erdhën me teoritë e tyre dhe na e paraqitën njeriun si një qenie po aq të papërfillshme edhe në planin kohor. Sipas tyre, mosha e Tokës shtrihet në qindra miliona vjet. Atëherë, ç’vlerë kanë disa dhjetëra apo edhe qindra vjet që i janë caktuar njeriut për të jetuar?

I tillë është, sipas materialistëve, vendi dhe vlera e njeriut në raport me hapësirën dhe kohën.

Ata nuk e dallojnë njeriun me atë që të tjerët e quajnë “shpirti hyjnor” apo “qenia racionale”. Sipas tyre, ai nuk është gjë tjetër veçse kjo strukturë materiale dhe ky trup shtazor.

E çfarë vlere ka ky trup, kjo strukturë materiale që përbën njeriun?

Një prej dijetarëve e zbërtheu trupin e njeriut në elementet e tij përbërëse themelore dhe arriti në përfundimet e mëposhtme:

Nëse marrim një njeri që peshon 65 kg dhe shqyrtojmë me imtësi përbërjen e trupit të tij, do të vërejmë se ai përmban këto lëndë:

Një sasi yndyre e mjaftueshme për të prodhuar 7 copë sapun.

Një sasi karboni e mjaftueshme për të prodhuar 7 lapsa.

Një sasi fosfori e mjaftueshme për të përgatitur kokat e 120 shkrepëseve.

Një sasi kripe magnezi e mjaftueshme për një dozë laksativi.

Një sasi hekuri e mjaftueshme për të prodhuar një gozhdë me madhësi mesatare.

Një sasi gëlqereje e mjaftueshme për të zbardhur një kotec pulash.

Një sasi squfuri e mjaftueshme për të pastruar lëkurën e një qeni nga pleshtat që i fshihen në qime.

Një sasi uji e mjaftueshme për të mbushur një fuçi me kapacitet dhjetë fuçish!

Të gjitha këto lëndë mund të blihen në treg për një shumë prej pesëdhjetë deri në gjashtëdhjetë piastrash(monedhë) egjiptiane.

Kjo, pra, është vlera materiale e njeriut.

Sipas këtij këndvështrimi, nuk ekziston asnjë shpirt dhe asnjë frymëzim qiellor që ta dallojë këtë qenie të jashtëzakonshme nga krijesat e tjera.

Një nga ateistët bashkëkohorë arabë thotë: “A mos vallë ne jemi diçka më shumë sesa insektet? Ne nuk jemi më shumë sesa vetvetja, dhe po kështu janë edhe insektet. Ne dëshirojmë vetëm të realizojmë vetveten, dhe po kështu dëshirojnë edhe insektet!

Dallimi midis nesh dhe insekteve qëndron vetëm te shkalla e epërsisë. Madje, dallimi në epërsi midis nesh dhe kafshës më të zhvilluar nuk është shumë më i madh sesa dallimi në epërsi midis insektit më të ulët dhe kafshës më të zhvilluar.”

Çfarë humbasim ne, apo çfarë humbet universi, Dielli apo Hëna, nëse ne nuk ekzistojmë më?!

As ajo që kanë pohuar Darvini, Frojdi dhe materialistë të tjerë si ata, nuk është më e mirë se kjo pikëpamje për njeriun. Sipas tyre, njeriu është pjesë e familjes së insekteve dhe i ngjashëm me majmunët! Ata nuk shohin tek ai veçse cipën dhe mbështjellësin e jashtëm, as nuk njohin tek ai gjë tjetër përveç baltës!

Sipas kësaj pikëpamjeje, njeriu është një krijesë, natyra e së cilës e tërheq drejt së ultës, e jo drejt ngritjes; drejt tokës, e jo drejt qiellit.

Me pak fjalë, ai është një “kafshë e evoluar”, që ka kaluar nga një fazë zhvillimi në tjetrën, derisa ka arritur në gjendjen e sotme. Kafshëria, pra, është tek njeriu si mbështjellësi i jashtëm dhe thelbi i brendshëm, si indi dhe fija e pëlhurës që e përbëjnë atë!”

Çfarë ndikimi tjetër mund të ketë mbi shpirtin njerëzor një pikëpamje e tillë, më të dëmshëm se ky ndikim? Që njeriu ta shohë veten si një krijesë të rënë në shkallët më të ulëta të ekzistencës, si një kafshë, si baltë dhe llucë!

Në këtë mënyrë, ai nuk e sheh më si të çuditshëm degradimin, ndotjen morale dhe zhytjen në poshtërsi. Nuk ndien as ndrojtje e as neveri që të zhytet në ndyrësi e llum dhe të ndotet me to.

Përkundrazi, ajo që bëhet e pazakontë për të është të përmbahet nga të këqijat, të pastrohet shpirtërisht dhe të jetojë me dinjitet, duke qëndruar mbi dëshirat epshore dhe lakmitë materiale; të jetë i gatshëm të sakrifikojë veten dhe pasurinë e tij në rrugën e së vërtetës, duke kërkuar kënaqësinë e Allahut.

Autor: Jusuf Kardavi

Përktheu: Mevlad Çollaku

By: ardhmëriaonline.com

[1] – Sure Isra: 70.