OBSH: Lija e majmunëve përhapet në Australi, Francë dhe Gjermani

Autoritetet në Australi, Francë dhe Gjermani konfirmuan sot rastet e tyre të para të lisë së majmunëve pasi sëmundja e rrallë ka vazhduar të shfaqet në një numër në rritje vendesh anembanë globit.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) raportoi se ishin konfirmuar rreth 80 raste dhe 50 të tjera ishin nën hetim në 11 vende ku sëmundja zakonisht nuk shfaqet.

Shteti australian i Viktorias regjistroi rastin e parë të lisë së majmunit, te një burrë të 30-at, i cili ishte kthyer së fundmi nga Britania e Madhe. Të premten, autoritetet shëndetësore fqinje të Uellsit të Ri Jugor thanë se kishin identifikuar një rast tjetër të mundshëm të lisë së majmunit, te një person rreth të 40-tave, i cili ishte kthyer së fundmi në Sidnei nga Evropa.

Një rast u zbulua gjithashtu në qytetin gjerman të Mynihut për herë të parë që nga fillimi i shpërthimit disa javë më parë, sipas Shërbimit Mjekësor të Ushtrisë. Autoritetet franceze konfirmuan në mënyrë të ngjashme se një burrë 29-vjeçar në zonën e madhe të Parisit ishte infektuar me virusin. Një rast i dytë u konfirmua në Belgjikë të premten, njoftoi agjencia e lajmeve “Belga”. /atsh