Një histori e bukur që tejkalon rivalitetin sportiv dhe përçon mesazhe miqësie e respekti ka marrë një tjetër kapitull të veçantë, këtë herë në Stamboll.
Pronari kosovar i restorantit “Metropol”, Mentor Berisha, së bashku me familjen e tij, ka vizituar Presidentin e Federatës së Futbollit të Turqisë, Ibrahim Ethem Haciosmanoglu, në ambientet zyrtare të Federatës.
Berisha ishte bërë i njohur për publikun turk dhe më gjerë gjatë ndeshjes historike mes Kosovës dhe Turqisë në play-offin e kualifikimeve për Kupën e Botës.
Para këtij takimi, ai kishte vendosur në hyrje të restorantit të tij në Prishtinë një mesazh që preku zemrat e tifozëve:
“Sot jemi rivalë, por gjithmonë miq! Për të gjithë tifozët turq, kafe dhe çaj falas. Në vitin 1999 ju paguat, sot nuk keni asnjë borxh!”
Ky gjest simbolik, që i referohej solidaritetit të Turqisë ndaj Kosovës në kohë të vështira, u vlerësua gjerësisht dhe u bë viral në rrjetet sociale, duke fituar respekt të madh nga opinioni publik.








