OKB – Di Maio: Të ndalojmë luftën për bukën

Luigi di Maio dhe Antonio Guterres

Lufta në Ukrainë po shkakton një luftë botërore të bukës që ne duhet ta ndalojmë sa më shpejt të jetë e mundur, në mënyrë që të frenojmë rritjen e flukseve migratore, deklaroi ministri i Jashtëm italian, Luigi di Maio në OKB.

“Siguria ushqimore është një prioritet afatgjatë i politikës së jashtme italiane. Komuniteti ndërkombëtar duhet të punojë në një mënyrë të koordinuar për të arritur sigurinë ushqimore për të gjithë”, tha Di Maio duke siguruar se ”Italia do të bëjë pjesën e saj”.

“Është e qartë dhe evidente se sot këtu në OKB po zhvillohet një veprim i ngushtë për të lejuar vendet që janë më në vështirësi të sigurojnë ushqim dhe kështu të shmangin rreziqet e destabilitetit, shpërthimit të ekonomive dhe trazirave të brendshme”, tha ai.

Di Maio shtoi se ”ne duhet të ndërtojmë së bashku një korridor të sigurt për të tentuar të largojmë grurin nga vendi dhe kështu t’i lejojmë prodhuesit ukrainas ta eksportojnë dhe ta kthejnë në treg”.

Çështja e sigurisë ushqimore ishte në qendër të bisedimeve në OKB.

“Kriza aktuale kërkon një përgjigje globale dhe SHBA janë të përkushtuara për të ndihmuar në koordinimin e këtyre përpjekjeve. Bllokada e portit të Odesës është shumë shqetësuese sepse parandalon eksportet e drithit në dispozicion në Ukrainë”, theksoi nga ana e tij sekretari amerikan i Shtetit, Blinken. /atsh