Programi Botëror për Ushqim (WFP) njofton se stoqet e ushqimit në Rripin e Gazës janë shteruar për shkak të mbylljes së vazhdueshme të pikave kufitare.
“Asnjë ndihmë humanitare apo furnizim tregtar nuk ka hyrë në Gaza për më shumë se shtatë javë, pasi të gjitha pikat kryesore të kalimit kufitar mbeten të mbyllura. Kjo është mbyllja më e gjatë që ka përjetuar ndonjëherë Rripi i Gazës, duke e përkeqësuar më tej tregun dhe sistemin tashmë të brishtë ushqimor,” thuhet në një deklaratë të WFP për gazetarët.
Që nga fillimi i muajit mars, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ndaloi dërgesat e ndihmave për në Gaza, një veprim që ai e justifikoi si mënyrë për të ushtruar presion mbi Hamasin që të pranonte një zgjatje të fazës së parë të marrëveshjes për armëpushim — marrëveshje të cilën vetë Izraeli e theu.








