Omani dhe Irani kanë rënë dakord të formojnë “grup të përbashkët pune” për të negociuar menaxhimin e ardhshëm të lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, thuhet në një deklarate të lëshuar sot nga Ministria e Jashtme e Omanit, transmeton Anadolu.
Deklarata erdhi pas bisedimeve në kryeqytetin e Omanit, Muskat, gjatë një vizite të kryetarit të Parlamentit iranian, Mohammad Bagher Qalibaf dhe ministrit të Jashtëm Abbas Araghchi.
Gjatë vizitës, delegacioni iranian u takua me sulltanin e Omanit, Haitham bin Tarik si dhe bisedoi me ministrin e Jashtëm Badr Albusaidi.
Të dy vendet, të cilat ndajnë vijat bregdetare përgjatë Ngushticës së Hormuzit, pohuan angazhimin e tyre për të garantuar kalimin e sigurt përmes rrugës ujore në përputhje me të drejtën ndërkombëtare ndërsa theksuan sovranitetin dhe të drejtat e tyre sovrane mbi ujërat e tyre territoriale në ngushticë.
Deklarata tha se të dy palët diskutuan çështje që lidhen me ngushticën sipas dispozitave të Memorandumit të Mirëkuptimit të Islamabadit të nënshkruar midis SHBA-së dhe Iranit dhe ranë dakord të vazhdojnë konsultimet përmes “një grupi të përbashkët pune” midis ministrive të tyre të Jashtme.
Grupi do të kërkojë të arrijë marrëveshje për administrimin e ardhshëm të lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, shërbimet që do të ofrohen atje dhe kostot shoqëruese, në përputhje me standardet ndërkombëtare.


